Pas aksidentit të ndodhur një ditë më parë në Tiranë, ku tre të mitur që udhëtonin me një monopatinë u përplasën nga një automjet, Policia Bashkiake e Tiranës ka nisur një fushatë këshilluese për drejtuesit e monopatinave elektrike.
Qëllimi i fushatës është ndërgjegjësimi i përdoruesve të këtyre mjeteve për rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe lëvizjen në korsitë e përcaktuara posaçërisht për ta.
Policia Bashkiake thekson se përdorimi i monopatinave elektrike është në rritje në kryeqytet, ndaj është e domosdoshme të parandalohen rreziqet për sigurinë rrugore, veçanërisht për të miturit që janë më të pambrojtur në rrugë.
Zyrtarët njoftojnë se kontrollet dhe këshillimet do të vijojnë në ditët në vijim në disa nga zonat më të frekuentuara të Tiranës.