Ish-prokurori Arjan Ndoja ka vijuar dëshminë e tij në procesin gjyqësor për atentatin ndaj tij në vitin 2019, duke mohuar çdo lidhje me personat e përfshirë në ngjarje dhe duke hedhur dritë mbi raportet e tij me emra të ndryshëm të përmendur gjatë hetimeve.
Në deklaratën e dhënë para trupës gjykuese, Ndoja u shpreh: “Me Pëllumb Muharremin nuk jam takuar më. Me Genc Malokun kam një raport normal, më është zhdukur djali në makinë me mua – është një dhimbje njerëzore. Me Dorian Shabën nuk kam pasur kurrë komunikim, asnjë kontakt për ngjarjen. Nuk kam asnjë interes pasuror në Gjirin e Lalzit.”
Gjatë seancës, përfaqësuesit e SPAK e pyetën ish-prokurorin edhe për lidhjen e tij me ish-deputetin Halit Valteri. “E njoh si figurë publike,” tha Ndoja.
“Madje e përshëndeta edhe sot. Ka publikuar një video në Kuvend, ku sipas tij janë autorët e atentatit ndaj meje. Nuk e di a janë vërtet ata, nuk kam dijeni. Kam pyetur edhe Basir Meçen, babain e Julian Meçes që është i pandehur në këtë proces. I thashë: ‘A është e vërtetë kjo? Është shumë e rëndë. Të kam ndonjë borxh unë ty? Ke një djalë – merre dhe çoje jashtë Shqipërisë. Nëse është i lidhur me atë tjetrin, është thjesht ushtar.’”
Në këtë moment, ka ndërhyrë nga salla i pandehuri Plarent Dervishaj duke i kërkuar Ndojës: “Mu drejto me emër mua!”