Në varrezat monumentale të Kllogjerit u mbajt përkujtimi i 81-vjetorit të gjenocidit ndaj komunitetit çam, i kryer nga forcat e gjeneralit grek Napolon Zerva në verën e vitit 1944.
Dhjetëra personalitete nga jeta politike, akademike, gjithashtu edhe shoqata të çamëve iu bashkuan familjarëve të të rënëve teksa vendosën kurora në ndërim të tyre. Përpos kësaj, ata kërkuan edhe një herë zgjidhjen e çështjes së të drejtave të mohuara.
Në ceremoninë përkujtimore, Hatixhe Rakipi nga Arpica e Çamërisë theksoi se për të, kjo ditë përfaqëson jo vetëm nderimin e 12 pjestarëve të saj të familjes që mbetën të vrarë, por edhe thirrjen që zëri i çamëve për kthimin e pronave dhe gjetjen e vendeve ku prehen të afërmit e tyre të dëgjohet.
“Të kujtojmë të parët tanë sepse në atë mur atje u kam 12 veta, fëmijë xhaxhallarësh nga ana e babait, gjyshërit tanë. Kemi ardhur t’i respektojmë edhe për të kërkuar të drejtat tona të mohuara gjithëkund dhe për të kërkuar të drejtat e atyre njerëzve që na prehen në rrugët e botëd që u janë hedhur kockat në kanale të vendeve këtej dhe ne nuk dimë ku të vemi t’i qaj dhe mblidhemi këtu për njerëzit tanë” – tha Rakipi.
Fadil Nuriu, i cili ka udhëtuar nga Amerika vetëm për të përkujtuar 81-vjetorin e genocidit ndaj familjes së tij në Paramithi dhe gjithë çamëve tregoji pjesë nga historia makabre që kanë përjetuar shqiptarët në atë kohë.
“Jam 90 vjeç pa gënjeshtra, kur ra Zerva në Greqi tha që gjithë shqiptarët të hapin dyqanet dhe të punojnë. Në orën 12 pastaj tha ç’janë burra t’i kapin t’i therim si keca. I kam parë sikur me qenë sot me juve. Nga shtëpia ime pak më lart takojmë myftinë e Çamërisë. Pak më lart takoj Xhevitin, djalin e tij, e kapën nga flokët dhe e tërhoqi një ushtar grek. Ai tha oh nëna ime, e mbaj mend si tani, e vranë e therën me thikë, e zhdukën. Burrat që kapën i vranë me thikë, i zhdukën. Këto janë të vërteta. Në krye të 2 ditëve morën gratë i mbyllën dhe u morën vathë e unaza. Nëna ime kishte një vajzë në djep, u fut brenda të merrte rrobat e vajzës dhe për 5 minuta e dogjën, vetëm dhëmbët i mbetën. Pastaj erdhëm në Shqipëri, nëna vdiq dhe ne mbetëm 2 vëllezër jetimë. Kam qenë 8-9 vjeç kur ndodhi kjo ngjarje” – ka treguar Nuriu.
Deputeti socialist Ardit Bido nënvizoi se për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për komunitetin çam, ruajtja e kujtesës për viktimat e pafajshme është një detyrë historike e cila duhet përkujtuar gjithmonë.
“Ne kemi për detyrë të gjithë shqiptarët veçanërisht ata të Çamërisë, por edhe ne të tjerët, për të kujtuar gjithë këto viktima të pafajshme, sepse secili prej nesh mund ishte ne vend të tyre nëse do ishte në atë kohë, në atë vend do të pësonte të njejtin fat. Në kujtim të gjithë kësaj ne duhet ta kremtojmë përherë këtë anë të errët të historisë tonë” – tha Bido.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Dashamir Tahiri deklaroi se zgjidhja e çështjes së pronave dhe e të drejtave të çamëve duhet të zgjidhet në mënyrë diplomatike mes dy shteteve, teksa ka akuzuar Shpëtim Idrizin për kthimin e shoqatës dhe të partisë çame në pronë private.
“Ju e dini si ka qenë përpara këtu, është një çështje e vështirë që do kohën e saj dhe do një zgjidhje diplomatike. Bisedimet e 2 shteteve duhet të sjellin dhe zgjidhjen e këtij ngërçi” – tha Tahiri.
Personalitete të ndryshme bashkohen çdo vit pranë varrezave monumentale në Kllogjer të Konispolit për të përkujtuar gjenocidin çam nga forcat e Napolon Zervës. Dhjetëra mijëra shqiptarë u masakruan apo u dëbuan nga trojet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke sjellë edhe konfiskimin e pronave të tyre.
(Sh.D/)