Konflikti 12-ditor Izrael-Iran/ Çejku: Veprimet e Trump të pashmangshme! Irani u godit fuqishëm, ta harrojë prodhimin e bombës bërthamore për disa dekada

Arben Çejku, ish-ambasador dhe analist i njohur i politikës së jashtme, komentoi zhvillimet e fundit në konfliktin 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24. Sipas tij, këto ditë përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë gjeopolitike të viteve të fundit.

Çejku theksoi se veprimet ushtarake të ndërmarra nga Izraeli dhe SHBA ishin të mirëkoordinuara dhe të pashmangshme, duke goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë kapacitetet ushtarake dhe bërthamore të Iranit. Ai vlerësoi se Irani, pavarësisht imazhit të një fuqie rajonale, u godit rëndë dhe tashmë është shumë larg prodhimit të një arme bërthamore.

Sipas Çejkut, konflikti nxori në pah dobësitë e regjimit iranian, ndërsa tensionet mbeten të larta për shkak të kompleksitetit të situatës në rajon.

Arben Çejku, ish-ambasador: Këto 12 ditë në pjesën më të madhe të kohës kam bërë analiza për ngjarjen. Janë 12 ditë që do ngelen gjatë në historinë politikë botërore. Këto 12 ditë treguan se Izraeli ishte përgatitur për një luftë të shpejtë, afatshkurtër, me përqendrim force të madhe për goditjen e strukturës ushtarake e komanduese të Iranit. Irani u vu re se, edhe pse ka krijuar një mit, sikur është tepër i fuqishëm, mori goditje nga Izraeli dhe SHBA. Pritej goditja nga bombarduesit amerikanë B-2, sepse ishin të vetmit që mund të bombardojnë centralet bërthamore iraniane. Veprimet e Trump ishte të pashmangshme. Nga informacionet që kanë qarkulluar, duket se Irani ishte pranë prodhimit të bombës bërthamore. Irani ka zhvendosur uranium dhe shpresojmë që CIA e Mossad e di se ku është zhvendosur ky uranium. Goditja ndaj Iranit bën që Teherani mos ta mendojë për dekada prodhimin e bombës bërthamore.

Izraeli donte edhe ndryshimin e regjimit në Iran. Irani nuk është se ka shumë aleatë myslimanë, edhe për faktin që ka atë regjim që ka. Shumë vende myslimane nuk janë bashkuar me goditjet që ka bërë Izraeli, duke pasur në prapavijë edhe dramën e Gazës. Irani po rikuperon imazhin e vet së brendshmi, që mos dëmtohet imazhi i pushtetarëve në sytë e qytetarëve iranianë. Vendosja e paqes duhet të vazhdojë, por kam idenë që regjimi iranian po kërkon të fitojë terren për të mbajtur pushtetin. Edhe SHBA e Izraeli nuk kanë interes që në Iran të bjerë regjimi dhe më pas ekziston rreziku që në shtetin iranian të dalin grupe ekstremiste, duke e bërë këtë vend akoma më me rrezik nga se është. Jemi në fazën, ku të gjitha palët e shohin veten fitues.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×