PD: Të ndalet hakmarrja politike ndaj policëve që hetuan denoncimin për ‘trenin Bullgar’ në Peqin

Partia Demokratike ka kërkuar që të ndalojë sipas tyre hakmarrja politike ndaj punonjësve të policisë që “kanë vepruar në përputhje me ligjin për hetimin e rastit të trenit bullgar në Peqin”.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, akuzoi qeverinë se, pas publikimit të një videoje që dokumentonte blerjen e votës në Peqin, strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë në funksion të një fushate ndëshkimi ndaj efektivëve që kontribuan në referimin e rastit në prokurori.

Deklarata e plotë:
Partia Demokratike dënon hakmarrjen politike ndaj efektivëve që zbatuan ligjin.

Nisur nga deponimet e strukturave të Partisë Demokratike në lidhje me vijimin e procedimit penal të iniciuar pas publikimit të një videoje nga drejtuesi i opozitës, z. Sali Berisha, ku dokumentoheshin materiale zgjedhore dhe para në një lokal në fshatin Pekisht të Peqinit, ju bëjmë me dije se:

Pasi Policia e Elbasanit referoi çështjen në Prokurori dhe kjo e fundit vijoi procedurat për ndjekjen penale të rastit, strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë në funksion të një fushate hakmarrjeje politike.

Nën urdhrat politikë të Edi Ramës dhe me drejtimin e Ilir Prodës në Policinë e Shtetit, është ndërmarrë një seri masash disiplinore dhe ndëshkuese ndaj efektivëve që guxuan të veprojnë në përputhje me ligjin.

Konkretisht sipas informacionit të sjellë nga deputeti i zgjedhur, z.Blendi Himçi :

Është nisur procedim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve ndaj shefit të krimit ekonomik në Drejtorinë e Elbasanit, Kliton Zhari;

Është pezulluar nga detyra nëndrejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Sadik Kateshi;

Procedim disiplinor dhe transferim për shefin e krimeve të Komisariatit të Peqinit, Denis Sinani.

Këto masa përbëjnë një akt të pastër hakmarrjeje politike ndaj efektivëve që refuzuan të heshtin përballë manipulimit të zgjedhjeve dhe që ushtruan detyrën e tyre me ndershmëri dhe profesionalizëm.

E nga ana tjetër emra si Krenar Guçe, promovohen me poste si shpërblim për shërbimin në funksion të farsës zgjedhore zhvilluar në 11 Maj.

Partia Demokratike dënon me forcë këtë sjellje arbitrare dhe paralajmëron se të gjitha rastet e abuzimit me pushtetin do të dokumentohen dhe do të ndëshkohen sipas ligjit.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×