Një vatër zjarri në fshatin “Arshi Lengo”, përfshiu një parcelë me barishte dhe shkurre të thata, shumë pranë zonës së banuar.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje u angazhuan dy automjete zjarrfikëse me 8 efektivë të shërbimit zjarrfikës. Ndërhyrja nisi nga dy drejtime: nga ana e banesave për të shmangur rrezikun ndaj jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe nga pjesa jugperëndimore për të mos lejuar përhapjen e flakëve në parcelat përreth.
Pas një ore ndërhyrje intensive, zjarri u vu plotësisht nën kontroll. Një automjet zjarrfikës me dy efektivë mbeti në terren për monitorim, me qëllim parandalimin e ndonjë riaktivizimi të mundshëm.
Policia shoqëroi në komisariat shtetasin N.K., pronarin e parcelës ku dyshohet se nisi zjarri. Sipas të dhënave paraprake, zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia gjatë punimeve me saldim për ndërtimin e një stalle.
Falë reagimit të shpejtë të forcave zjarrfikëse, nuk pati pasoja për banesat dhe banorët, ndërsa u përfshi nga flakët një sipërfaqe prej rreth 1 dynym me bimësi të thatë.