Pas zjarrit të rënë këtë pasdite në tregun industrial në plazhin e Durrësit, prefekti i qarkut, Emiljano Jani, ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka informuar mbi situatën dhe ndërhyrjen e strukturave të emergjencës.
Jani falënderoi efektivët zjarrfikës nga Durrësi, Shijaku, Kavaja dhe Kamza, që reaguan me shpejtësi për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve në tregun e përbërë nga mbi 20 dyqane verore.
Prefekti theksoi se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, pasi tregu nuk plotëson kushtet teknike dhe ka infrastrukturë të përkohshme, me lidhje elektrike jo të standardizuara.
“Zjarri i rënë në tregun industrial është masiv, janë angazhuar të gjitha forcat zjarrfikëset e Durrësit, Autoritetit Portual, bashkive Shijak dhe Kavajë, si edhe na janë bashkuar edhe nga zjarrfikësit e Kamzës. Furnizime me bote uji kanë qenë nga të gjitha institucionet Durrësit.
Dëme të konsiderueshme materiale.
Ende nuk kemi një vlerësim të saktë, siç edhe nuk dimë shkakun e zjarrit.
Mendohet të jetë edhe si shkak i një shkëndije elektrike, është një treg që nuk përmbush asnjë kriter dhe kusht të sigurimit teknik. Ndaj zjarri ishte kaq masiv. Është një treg që menaxhohet nga privati.
Dëmet ishin të shumta materiale por jemi të lumtur që nuk kishte viktima dhe pasoja në njerëz.
Puna për vënien nën kontroll të flakëve vijon ende”, tha ai.