Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, i ftuar në emisionin Koha për t’u zgjuar në News 24 këshillon qytetarët që të fillojnë mbledhjen e dokumentacionit për pension një vit para daljes në pension.
Ai thekson rëndësinë e librezës së punës, dokumenteve të shërbimit ushtarak dhe certifikatave familjare. Sipas tij, është thelbësore që çdo dokument të konfirmohet me Arkivin e Sigurimeve Shoqërore në Lundër.
Në mungesë dokumentacioni, qytetarët mund të përfundojnë edhe në procese gjyqësore që zgjasin deri në tre vite.
Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha: Qytetarët që janë në prag të pensionit, t’i mbledhin dokumentet, t’i konfirmojnë edhe me dokumentet që ka Arkivi i Sigurimeve Shoqërore në Lundër. Qytetari 1 vit përpara se të dalë në pension, ka të drejtën të kërkojë dokumentet. Sot e shikojnë si të paarsyeshme që të kërkojnë një vit më herët për dokumentet e pensionit. Cilat janë dokumentet që duhen për pensionin? Libreza e punës duhet dorëzuar, sepse aty paraqitet vjetërsia e punës. Kush kërkon vitet si ushtar, mund të aplikojë tek Posta Shqiptare. Qytetari thotë se dua ta përdor si dokument, për të përfituar pension. Shërbimi ushtarak njihet si vjetërsi pune, këtu veçohen meshkujt nga femrat. Por ka edhe femra që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Është edhe Qendra e Mobilizimit dhe Rekrutimit në Ministrinë e Brendshme, ku kërkohet dokumenti, që është korrekt si institucion.
Tjetër është certifikata e martesës, është sidomos e rëndësishme për femrat, sepse në vajzëri ka mbajtur tjetër mbiemër. Duhet që të bëhet lidhja që është i njëjti person, por me mbiemra të ndryshëm. Edhe nënat me shumë fëmijë përfitojnë, marrin pension në moshë më të re. Është e detyrueshme certifikata e fëmijëve, të lindur dhe të rritur mbi 8 vjet. Tjetër është që ata që përfshihen në statusin e tetraplegjikëve dhe të verbërve, kanë status tjetër. Kush ka pasur transferime në punë, nga Dibra prsh në Gjirokastër, një burrë prsh duhet të kërkojë në Ministrinë përkatëse që ka bërë transferimin dhe bashkëshortes së personit, i njihet si vjetërsi pune. Ka shumë qytetarë që nuk kanë librezë pune, por ai në memorie e ka që ka punuar. Por ai bën deklarimin që ka punuar dhe bën deklarim se ka punuar në këtë institucion. Me “Ok” që jep qytetari, administrata i thotë qytetarit që këtu të del se ke punuar e këtu jo. Mirë është që qytetari të mbledhë dokumentet paraprakisht, pa dalë në pension. Kur nuk ka rrugë tjetër për njohje të dokumentacionit, e vetmja rrugë është ajo gjyqësore. Gjyqi mund të shkojë deri në 3 vite. Ka gabime edhe njerëzore të administratës, por ka edhe gabime që nuk janë të falshme.