Një 28-vjeçar ka përplasur dy automjete të shtetasve kosovarë në aksin rrugor “Milot–Morinë”, duke lënduar 6 pasagjerë.
Pasagjerët morën ndihmë mjekësore dhe më pas u larguan në banesat e tyre.
Ndërkohë, në Shëngjin, një 52-vjeçar aksidentoi automjetin e parkuar të një shtetasi tjetër. Të dy rastet janë referuar në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët e qarkullimit rrugor të autostradës “Milot–Morinë” referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 28 vjeç, banues në Kamzë, pasi automjeti që drejtonte u përplas me automjetet që drejtonin 2 shtetas kosovarë, në aksin rrugor “Milot–Morinë”. Si pasojë u dëmtuan 6 pasagjerë në automjetet që drejtonin shtetasit kosovarë, të cilët pasi morën asistencë mjekësore, u larguan në banesa.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., 52 vjeç, banues në Shëngjin, pasi dyshohet se me automjetin që drejtonte, ka përplasur aksidentalisht, automjetin e parkuar të shtetasit N. M..