Selia e re e Ambasadës së Shqipërisë në Vatikan u inaugurua sot në një ceremoni zyrtare ku morën pjesë përfaqësues të lartë të diplomacisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ishte i pranishëm në këtë ngjarje së bashku me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet në Selinë e Shenjtë, Imzot Paul Richard Gallagher, dhe Ministrin e Jashtëm të Urdhrit Sovran të Maltës, Riccardo Paternò di Montecupo.
Në fjalën e tij, Ministri Hasani theksoi se kjo ambasadë e re simbolizon forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, marrëdhënie që mbështeten në vlera të përbashkëta si dialogu ndërfetar, dinjiteti njerëzor dhe paqja globale.
“Kjo shtëpi e re e diplomacisë do të jetë në shërbim të përpjekjeve për të ndërtuar ura për një botë më të paqtë dhe më solidare,” u shpreh Hasani gjatë fjalës së tij përshëndetëse.
Ceremonia shënon një moment domethënës në konsolidimin e pranisë diplomatike shqiptare në Vatikan dhe angazhimin e saj për bashkëpunim ndërkombëtar të frytshëm.