Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, z. Fuat Oktay, dhe anëtarët e Komisionit që e shoqëronin. Në takim ishin të pranishëm edhe anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë, deputetët Antoneta Dhima, Petro Koçi dhe Kreshnik Çollaku.
Znj. Spiropali dhe z. Oktay diskutuan mbi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe intensiv parlamentar midis Kuvendit dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare, mbështetjen e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë, miqësisë dhe marrëdhënieve tradicionale mes njerëzve tanë, bashkëpunimin e gjithanshëm dypalësh, partneritetin në NATO, perspektivën euro-atlantike të Kosovës si edhe kontributin e dy vendeve tona për sigurinë dhe paqen në rajon e më gjerë.