Atentatorët i hodhën eksplozivë me dron në shtëpi/ “Në Shënjestër” zbardh rastin, si u tentua eliminimi i Bernard Sinomatajt, vëllait të “Buzëderrit”

Në emisionin Në Shënjestër në News24 u trajtua tema e atentatit të dështuar me dron ndaj Bernard Sinomataj në një apartament në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë.

Hetimet zbuluan se shpërthimi ishte shkaktuar nga një pajisje fluturuese e ngarkuar me eksploziv, e komanduar nga distanca, duke ngritur dyshime të forta për një akt kriminal të mirorganizuar.

Ngjarja lidhet me një seri sulmesh ndaj familjes Sinomataj, përfshirë edhe vrasjen me snajper të nipit të tij, Gëzim Sinomataj.

Në Shënjestër:

Një zhurmë e paplotë, por mjaftueshëm e frikshme, çau qetësinë e natës dhe prishi shurdhërinë e orëve të vona, duke lënë të shtangur ata pak vizitorë të pranishëm në një pallat të ri, ende jo plotësisht i populluar nga banorët e rinj. Ishte një shfryrje e panjohur, e cila në atë moment nuk mund të identifikohej, nëse bëhej fjalë për një bombol gazi apo për ndonjë tjetër lëndë shpërthyese më të fortë.

Fillimisht, edhe për policinë që mbërriti menjëherë pas njoftimit të parë, situata ishte e paqartë. Ngjarja kishte ndodhur në një bllok të ri apartamentesh në rrugën ‘Sadik Petrela’ në Tiranë, ku një shpërthim kishte shqetësuar banorët e pakët të pallatit në orët e para të mëngjesit të 22 dhjetorit 2024. Forcat policore, pasi arritën në vendin e ngjarjes, u ngjitën në katin e 9-të të pallatit, me dyshimin se shkaku mund të ishte një rrjedhje gazi, që më pas mund të kishte sjellë shpërthimin brenda një apartamenti.

Bashkë me to, në ndihmë erdhën edhe shërbimi i ambulancës dhe urgjencës. Por dera e apartamentit ishte e mbyllur dhe për t’u futur brenda u desh ndërhyrja e forcave xheniere për ta shpërthyer atë. Megjithatë, me të hyrë në apartamentin ku nuk përgjigjej askush, rrjedha e ngjarjeve mori një kthesë të papritur.

Nuk bëhej më fjalë për një bombol apo rrjedhje gazi – policia kishte përballë një akt të mirëfilltë kriminal. Një sulm i inskenuar deri në detaje, që kishte si objektiv një personazh nga Vlora, i lidhur me ngjarje kriminale, familja e të cilit kishte qenë edhe më parë shënjestër e sulmeve të rënda.

Sipas Dosjes Hetimore: “Më datë 22 Dhjetor 2024, në Sallën Operative të Policisë është njoftuar se në rrugën ‘Sadik Petrela’ në Tiranë, në katin e 9-të të një pallati pranë një klubi të njohur nate, si pasojë e një rrjedhjeje të dyshuar të një bombole gazi, ka ndodhur një shpërthim. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet policore dhe ato zjarrfikëse kanë bërë të mundur hapjen me forcë të derës së apartamentit. Nga verifikimet fillestare nuk u gjet asnjë person, por u konstatuan dëme të konsiderueshme në ballkon dhe në vetratat e xhamit, të shkaktuara nga shpërthimi me lëndë plasëse të llojit eksploziv.”

Ajo që tronditi grupin hetues në vendin e ngjarjes ishte mënyra e sofistikuar e ekzekutimit: lënda shpërthyese nuk ishte vendosur nga ndonjë person që kishte hyrë në apartament, por kishte ardhur nga ajri. Nuk bëhej fjalë as për një dorë të padukshme që e kishte hedhur nga dritarja, as për ndonjë autor që kishte operuar nga sheshpushimi, pasi kati i 9-të i pallatit e përjashtonte një skenar të tillë.

Policia tashmë nuk kishte më dyshime: lënda shpërthyese ishte hedhur në ballkonin e apartamentit të marrë me qira, nëpërmjet një mjeti fluturak, konkretisht një droni të komanduar nga distanca. Kjo ishte e vetmja mënyrë që autorët të arrinin te objektivi i tyre pa u vënë re nga askush, përfshirë edhe vetë shënjestrën e sulmit.

Dosja hetimore tregon se, në bazë të hetimeve të para të kryera, rezulton se sasia e lëndës shpërthyese është hedhur në ballkonin e apartamentit në fjalë përmes një pajisjeje fluturuese të llojit dron dhe është aktivizuar në distancë me anë të një aparati celular. Në dukje një gjetje inteligjente, kjo duket se ka qenë e vetmja mundësi që autorët të afrohen te shënjestra e tyre, e cila kishte marrë një apartament me qira në atë godinë. Por, çuditërisht, në atë orë të natës ai nuk ndodhej në apartament, ose ndoshta ishte larguar prej tij vetëm pak minuta para shpërthimit, i cili mund t’i kishte rrezikuar seriozisht jetën.

Kush ishte, pra, shënjestra e atentatit të dështuar me dron në rrugën ‘Sadik Petrela’ në Tiranë? Dhe cili është lidhja e tij me personazhin e njohur Sokol Sinomataj, apo siç njihet ndryshe, ‘Buzëderri’? Pikërisht djali i këtij të fundit, 23-vjeçari Gëzim Sinomataj, u qëllua me një plumb snajperi në kokë mbrëmjen e 7 janarit 2024, teksa kishte dalë në ballkon për të tymosur një cigare në apartamentin e xhaxhait të tij, në një nga lagjet e Vlorës. Vetëm pak ditë më parë ai ishte kthyer për pushime në Shqipëri.

Apartamenti ku u vra Gëzimi i përkiste xhaxhait të tij, Bernard Sinomataj, i njëjti që më vonë do të bëhej objektivi i atentatit me eksploziv, në katin e 9-të të një pallati në rrugën ‘Sadik Petrela’ në Tiranë. Vëllezërit Sinomataj, Sokoli dhe Bernardi, ishin të përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale që datonin që nga viti 1997. Sokol Sinomataj, apo ‘Buzëderri’, ka qenë anëtar i bandës famëkeqe të Gaxhait gjatë vitit të errët në Vlorë dhe, në momentin kur djali i tij u qëllua, po vuante një dënim për një vrasje të ndodhur në vitin 2000. Sa i përket Bernardit, atentati me dron në Tiranë nuk ishte i pari: më 3 janar 2022, ai kishte qenë objekt i një sulmi tjetër, kur iu vendosën 150 gram lëndë plasëse tritol në makinën e tij të parkuar në të njëjtën lagje ku më vonë do të ekzekutohej nipi i tij.

Në lidhje me atentatin më të fundit ndaj tij në rrugën ‘Sadik Petrela’, për hetuesit mbeti me rëndësi të zbulohej se nga ishte komanduar droni që hodhi ngarkesën me eksploziv. U ngritën hipoteza nëse pajisja kishte ardhur nga një objekt tjetër pranë pallatit, apo nëse autorët kishin qenë aq precizë sa ta komandonin me saktësi nga toka. Dosja hetimore përshkruan: “Në bazë të informacioneve të siguruara, rezulton se lënda eksplozive e hedhur me pajisje dron në ballkonin e apartamentit, është aktivizuar nëpërmjet një aparati celular. Për këtë arsye, u pa e udhës që të bëhej fillimisht krehja e sheshpushimit të pallatit ku ndodhi shpërthimi. Nga ku rezultoi se në pjesën para pallatit, në trotuar dhe në rrugë, u gjetën copëza të vogla baterish, tela të ndryshëm, pjesë bobinash dhe qarqesh, helikash droni të dëmtuara me prezencë të blozës dhe të djegies, si dhe pjesë përbërëse të mjetit fluturues dhe lëndës shpërthyese”.

Pra, tashmë ishte e qartë se droni që kishte si objektiv katin e 9-të ku qëndronte përkohësisht me qira Bernard Sinomataj, ishte lëshuar nga sheshpushimi përpara pallatit. Por ajo që mbetej e paqartë ishte nëse autorët kishin apo jo informacion nëse shënjestra ndodhej në atë moment në apartament. Dhe nëse ata e dinin që apartamenti ishte bosh, a ishte ky atentat vetëm një paralajmërim i radhës ndaj Sinomataj?

Përse u zgjodh pikërisht një shpërthim me eksploziv nëpërmjet dronit, kur viktima potenciale ishte vazhdimisht në lëvizje dhe mund të goditej në kushte më të favorshme? Çfarë u gjet në apartamentin e marrë me qira nga Bernard Sinomataj? Sende që tregonin qartë se ai ose ishte larguar në nxitim e sipër, ose nuk kishte qenë i përgatitur për një sulm të tillë. Mes tyre, u gjetën edhe dy armë zjarri…

Dosja hetimore zbardh detaje të rëndësishme nga vendngjarja në katin e 9-të të pallatit ku ndodhi shpërthimi. Gjatë këqyrjes së apartamentit, konstatohet se si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar pllakat e dyshemesë së ballkonit, aty ku ndodhet edhe krateri i shpërthimit, si dhe vetrata e xhamit të ballkonit, ku copëzat e xhamit ishin shpërndarë në mënyrë të çrregullt në të gjithë ambientin e brendshëm të kuzhinës. Gjatë kontrollit në apartament u gjetën prezenca bloze dhe djegieje, së bashku me pjesë përbërëse të mjetit fluturues dhe mekanizmit shpërthyes.

Po gjatë këqyrjes, në ambientet e këtij apartamenti u gjet dhe u sekuestrua një kuti e zezë me mbishkrimin ‘AHSS’, brenda së cilës ndodheshin një krehër arme zjarri, mbajtëse kërciri, mbajtëse armë në kofshë dhe tre furça për pastrimin e armës. U gjet edhe një kontratë llogarie rrjedhëse me emër klienti Sokol Sinomataj. Gjithashtu, një palë syze të zeza me mbishkrimin ‘Prada’ dhe një leje drejtimi në emër të po të njëjtit Sokol Sinomataj. Po ashtu, u gjet edhe një fletore me shkrim dore ku ishin shënuar emra dhe numra telefoni, një fotokopje urdhëri kërkimi ndërkombëtar, një relacion prokurori si dhe dy vendime gjykate për shtetasin Sokol Sinomataj.

Nga këto të dhëna bëhet e qartë se, edhe pse apartamenti ishte marrë me qira, Bernard Sinomataj e përdorte atë si rezidencën e tij. Prania e dokumenteve që i përkisnin vëllait të tij, Sokol Sinomataj, e përforcon këtë fakt. Por në apartament nuk u gjetën vetëm dokumente që lidhen me vëllezërit Sinomataj. Gjatë kontrollit të imtësishëm, u zbuluan edhe dokumente që i përkisnin shtetases E. A., e cila rezulton të jetë bashkëjetuesja e Bernard Sinomataj.

Ndër të tjera, u zbuluan para në shuma të konsiderueshme në prerje euro, si dhe një kartë bankare në emrin e një shtetaseje italiane. Dosja hetimore përshkruan se gjatë kontrollit u gjetën: një telefon i zi me shkronjën ‘G’ të stampuar në pjesën e pasme; një portofol i zi që përmbante një kartë bankare në emër të Anamaria Grigore; një kartë ‘Nova’ në gjuhë të huaj pa kartë SIM; një kartë me mbishkrimin ‘Extranjeros Regimen Comunitario’ me emër Spiro Sinomataj; një leje drejtimi shqiptare në të njëjtin emër; një kartë në gjuhë të huaj me mbishkrimin ‘Parking’; një kartë blu me mbishkrimin ‘Imakro’ po ashtu në emër të Anamaria Grigore; 17 kartëmonedha prej 50 eurosh; dhe një kartë identiteti shqiptare me emrin Spiro Sinomataj.

Në kuadër të hetimeve, i pari që u pyet nga autoritetet ishte G. M., komshiu ngjitur me apartamentin ku ndodhi shpërthimi. Ai tregoi se mbrëmjen e ngjarjes sapo ishte kthyer në banesë së bashku me bashkëshorten dhe ora shënonte 21:15 minuta. Ata sapo kishin konsumuar vaktin e darkës kur dëgjuan zhurmën e fortë që erdhi nga jashtë. Të shqetësuar, dolën në ballkon për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe vunë re se nga ballkoni ngjitur po dilte tym.

G. M. rrëfen: “Sapo pashë tymin që po dilte nga ballkoni ngjitur, dolëm te dera e apartamentit tonë. Aty pamë një njeri që ishte i trembur. Duke menduar se ishte pronari i banesës ngjitur, e pyeta nëse ishte mirë. Por ai mu përgjigj se jemi mirë dhe të mos shqetësohesha, pasi ishte thjesht një bombol gazi.”

I pyetur nga grupi hetues, komshiu nuk dha shumë detaje rreth personit që takoi në korridorin e sheshpushimit. Ai nuk dha ndonjë karakteristikë të veçantë apo ndonjë informacion nëse ai person ishte i shoqëruar me dikë tjetër. Ai deklaroi vetëm se pas këtij momenti zbriti poshtë me bashkëshorten derisa mbërriti policia dhe më pas janë ngjitur sërish në apartamentin ku ndodhi shpërthimi.

Në lidhje me pamjen e personit që takoi, G. M. shton: “Lidhur me karakteristikat e personit që takova te shkallët e pallatit fill pas ngjarjes, më duhet të them se ai ishte brun, i gjatë 178 cm, i moshës rreth 45 vjeç, kishte veshje të rregullta dhe mbante rroba të errëta.”

Më tej, komshiu ngjitur me objektin ku ndodhi shpërthimi u rrëfye edhe në lidhje me ndonjë ndodhi të mundshme që mund të kishte dëgjuar gjatë kohëve të fundit në këtë apartament. U pyet nëse kishte parë apo dëgjuar gjëra të çuditshme që mund t’i kishin tërhequr vëmendjen. Përveç një episodi të largët, ai deklaroi se nuk kishte regjistruar asgjë të pazakontë në kujtesën e tij afatshkurtër rreth komshinjve problematikë me të cilët ndante hyrjen. Madje, sipas tij, nuk kishte vërejtur asgjë shqetësuese që mund ta çonte në mendimin se mund të ndodhte një situatë e pakëndshme, ashtu siç ndodhi atë mbrëmje funddhjetori.

G. M. shprehet: “Ajo që dua të them është se nuk kam vënë re asgjë të dyshimtë rreth personave që jetonin ngjitur me apartamentin tonë. Ajo që kujtoj është se 2-3 javë më parë, nga ky apartament kam dëgjuar dy persona meshkuj, të cilët flisnin me zë të lartë. Por unë nuk ua vura veshin fjalëve të tyre.”

Ndër dëshmitë më interesante është ajo e vetë A. Th., pronarit të apartamentit të dhënë me qira, i cili konfirmoi se hyrjen, të cilën ai dhe bashkëshortja e tij e kishin blerë një vit më parë në këtë bllok apartamentesh në rrugën ‘Sadik Petrela’ në Tiranë, ia kishin dhënë me qira për një afat gjashtëmujor një zonje me emrin Helena.

A. Th. tregon: “Unë dhe bashkëshortja ime apartamentin e kemi nxjerrë te njoftimet në një agjenci imobiliare te Zogu i Zi, me qëllim që ta japim me qira. Vetëm disa ditë pas këtij njoftimi, agjencia na bëri me dije se një vajzë me emrin Helena, me origjinë nga Korça, dëshironte ta merrte me qira apartamentin dhe na kishte paguar me parapagim për një afat gjashtëmujor. Vajza kishte një numër holandez dhe disa ditë pas pagesës ajo erdhi dhe na takoi poshtë pallatit, me qëllim që ne t’i jepnim çelësat e apartamentit.”

I pyetur lidhur me karakteristikat e saj, pronari tha se vajza fliste me një theks jugor dhe ndodhej në shoqërinë e një mashkulli që ishte prezantuar si bashkëshorti i saj, rreth moshës 35 vjeç, me tipare brune, trup të zakonshëm dhe fytyrë ezmere.

A. Th. shton: “Kur erdhi të na takonte, burri që ndodhej në krah të gruas që mori çelësat, zbriti nga një automjet tip ‘Fuoristradë’ me ngjyrë të zezë.”

Pavarësisht kërkesave për ta marrë në pyetje, Bernard Sinomataj u zhduk pa lënë asnjë gjurmë, duke lënë pas shumë pikëpyetje dhe mister mbi ngjarjen. Ndërkohë, gjuetia ndaj familjes së tij vazhdon edhe sot, edhe pse deri më tani nuk ka asnjë autor të identifikuar në lidhje me dy apo tre ngjarjet që lidhen me ta: vendosja e eksplozivit tri vite më parë në makinën e Bernard Sinomataj, ekzekutimi me snajper në fillim të vitit 2024 i nipit të tij, Gëzim Sinomataj, si edhe atentati i fundit me dron të ngarkuar me eksploziv në ballkonin e apartamentit të marrë me qira nga vetë Bernard Sinomataj.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×