Berat/ Ra nga lartësia dhe humbi jetën në një kantier ndërtimi, shpallet në kërkim pronari i firmës. Procedim penal edhe për teknikun e pallatit

Një ngjarje e rëndë aksidentale u regjistrua pasditen e djeshme në një kantier ndërtimi në lagjen “Kushtrim” në qytetin e Beratit. Një punëtor 66-vjeç (murator) ka qenë duke punuar dhe ka rënë nga kati i tretë i ndërtesës. Ai u transportua menjëherë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku megjithë ndërhyrjen e mjekëve, nuk mundi dot t’u mbijetojë plagëve të marra dhe vdiq disa minuta pas mbërritjes në spital.

Në vendngjarje shkuan forca të shumta policie si dhe grupi që po vijon punën për zbardhjen plotë të rrethanave të ngjarjes. Një ditë pas ngjarjes, Policia e Beratit konfirmon se, pas kryerjes së verifikimeve të nevojeshme, është shpallur në kërkim 65-vjeçari Tahir Numani, pronar i firmës BIFFER & CO ShPK, i cili u arratis menjëherë pas ngjarjes, pa dhënë asnjë shpjegim.

Policia konfirmon se ka filluar procedimi penal edhe për teknikun e firmës, shtetasin S.B, 69-vjeç. Pronari Tahir Numani dhe tekniku i firmës akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Siç edhe mund të shihet qartë nga pamjet filmike, të siguruara nga përditshëria e punës në këtë kantier, shihet qartë se punonjësit punojnë pa asnjë siguri. Ata shihen të palidhur, të papajisur me mjete mbrojtëse dhe pa asnjë parmak rrethues që t’i mbrojë nga rënia.

Viktima Ramadan Hatija, i është nënshtruar mbrëmjen e djeshme autopsisë mjeko-ligjore, e cila ka konfirmuar se viktima nuk ka pësuar asnjë arrest kardiak, nuk ka pasur luhatje tensioni dhe në gjak nuk ka pasur alkool. Sipas autopsisë, plagët më të rënda që kishte marrë viktima ishin në kokë.

Ndërkohë që mesditën e sotme trupi i pajetë i 66-vjeçarit Ramadan Hatija, banues në lagjen “Uznovë” është përcjellë për në banesën e tij të fundit.

Pronari i firmës Tahir Numani është në arrati, pa dhënë asnjë shpjegim se përse mungonin kushtet e sigurisë teknike në këtë kantier ndërtimi, ku disa muaj më parë është plagosur gjatë punës një tjetër punëtor. Që prej ditës së djeshme, kantieri i ndërtimit të këtij pallati është mbyllur nga policia për disa ditë, deri në përfudimin e hetimeve të para të ngjarjes.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×