13,5 milionë euro në 4 vite, kjo është shifra që Mirlind Daku do të përfitojë nga kontrata e re që do të firmos me Rubin Kazan. Pas zërave të shumtë që e shihnin larg Rubin Kazan, pasi për të kishte oferta konkrete nga ekipe si Zenit, Beshiktash apo Lens në Francë, në fund Daku ka vendosur të qëndrojë te Rubin Kazan, ka pranuar rinovimin, por duke përfshirë edhe një klauzolë shumë specifike që e lejon të largohet nëse i vjen ndonjë ofertë e rëndësishme nga një klub evropian.
Mediat në Rusi kanë zbuluar detaje nga kontrata e re që Daku pritet të firmos. Për të mbajtur në skuadër “bomberin” kuqezi, Rubin Kazan i ofroi një kontratë me terma financiarë të përmirësuar ndjeshëm. Paga e tij do të jetë rreth 2.2 milionë euro në vit. Përveç kësaj, 1.6 milionë euro i takojnë si bonus vjetor nënshkrimi, plus bonuse për paraqitjet individuale dhe fitore të ekipit. Në total, Mirlind do të jetë në gjendje të fitojë afro 13,5 milionë euro për katër vite kontratë. Kjo shifër e bën atë një nga lojtarët më të paguar të klubit.
Mediat kanë zbuluar dhe klauzolën e përfshirë në këtë kontratë, me klubin që i plotësoi lojtarit dëshirën e tij. Pas 6 muajsh, Daku ka të drejtë të largohet nga Rubini nëse në adresë të tij vjen një ofertë e kënaqshme nga ndonjë klub evropian, çka i lë atij derën hapur për një transferim të mundshëm në janar 2026.
()