Ish-ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Roland Bimo, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, komentoi situatën në Ballkan pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.
Bimo vlerësoi se Trump po ngre “flamurin e paqebërësit” në botë, duke nënvizuar se marrëdhëniet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë mbajnë rrezikun e një konflikti të hapur. “Kosova dhe Serbia janë në një pozicion që, nëse nuk zgjidhin marrëdhëniet, mbetet një konflikt i hapur dhe për këtë Trump ka të drejtë,” tha ai.
Ish-ambasadori shtoi se sfidat rajonale përkeqësohen edhe për shkak të përplasjeve gjeopolitike mes Perëndimit dhe fuqive si Kina, Irani dhe Rusia, që mbajnë një linjë të përbashkët. “Serbia do të ketë një jetë politike tejet të vështirë nga sot e tutje sepse nuk mund të rrijë gjatë në karriget e Perëndimit dhe Lindjes në të njëjtën kohë,” theksoi Bimo.
Ai parashikoi se Ballkani do të vazhdojë të qëndrojë në orbitën e Perëndimit, duke paralajmëruar sfida të vështira për Serbinë në periudhën që vjen, si pasojë e presionit të shtuar pas deklaratave të Trump.