Bulevardi “Epidamn” apo Rruga Tregtare siç e njohin durrsakët do të kthehet në pedonale duke nisur nga pasditja e kësaj të marte. Nga ora 18.00 – 23.00 në këtë aks ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve dhe kjo masë do të vijojë përgjatë muajve korrik dhe gusht. Masa ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, por edhe të vizitorëve dhe turistëve të shumtë që vijnë në Durrës për të kaluar pushimet verore.
“Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, në zbatim të urdhërit nr.177 datë 27.06.2025 “Mbi organizimin e planit të lëvizjes së automjeteve në bulevardin Epidamn duke filluar nga data 01.07.2025 deri më datë 31.08.2025”, Policia Bashkiake njofton të gjithë qytetarët se bulevardi “Epidamn” do të kthehet në një hapësirë pedonale nga 01 korrik 2025 deri në 31 gusht 2025, prej orës 18:00 – 23:00, me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve por edhe e vizitorëve të shumtë që vijnë në qytetin tonë për të kaluar pushimet“,- tha në një deklaratë për mediat shefi i qarkullimit në Policinë Bashkiake, Ervis Quku.
Nga dita e parë e korrikut, segmenti nga Prefektura deri tek Kulla Veneciane do të jetë në dispozicion të këmbësorëve për të shijuar mbrëmjet verore në qytetin 3000-vjeçar, ndërsa devijimi i lëvizjes së mjeteve do të bëhet nga rruga “Karl Topia” (nga Prefektura drejt Vilës së mbretit Zog).
Policia bashkiake do të monitorojë përgjatë këtyre dy muajve zbatimin e kësaj mase nga ana e drejtuesve të mjeteve, por edhe rezidentëve të kësaj zone në qendër të Durrësit.
6 muajt e parë të këtij viti kanë regjistruar shifra mjaft të kënaqshme turistësh në qytetin bregdetar dhe autoritetet vendore po marrin të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit veror dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zonat urbane dhe përgjatë gjithë vijës bregdetare.
()