Zhduket pa gjurmë prej më shumë se dy javësh në Memaliaj, Eraldo Muça, një prej miqve më të besuar të Aleksandër Sadikaj.
Gazetarja Klodiana Lala, e cila ka marrë kontakt me familjen shprehet se prindërit e 30-vjecarit kanë bërë kallëzim në polici dhe apelojnë që strukturat të hetojnë për të zbardhur të vërtetën për zhdukjen e djalit të tyre të vetëm.
Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit. Burime policore thanë se për herë të fundit, i riu është parë në autostradën Durrës-Tiranë dhe nga ai moment nuk ka asnjë të dhënë rreth tij.
Familja ngre dyshime të forta se atij mund ti ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, për motive hakmarrje, por policia nuk përjashton as pista të tjera.
30-vjeçari i zhdukur pa gjurmë, njihej si një nga miqtë e besuar të Aleksandër Sadikaj i njohur si Sanço.
Ky i fundit u ekzekutua në qershor të 2022 në një atentat mafioz në afërsi të rrethrrotullimit të TEG, ku automjeti i tij shpërtheu nga një sasi e madhe tritoli që ishte vendosur në të.
Pas kësaj ngjarje, mes grupit të tij dhe grupit kundërshtar të vëllezërve Edmond Papa e Kristo Qirici janë shënuar disa ngjarje të rënda kriminale. pas tij u vra Edmond Papa nga grupi kundërshtar. Kushërinjtë e Sadikajt, Adriatik Kalemi e Zamir Kalemi iu mbijetuan të paktën dy atentateve mafioze në Greqi e Tiranë. Më pas u shënua ajo që njihet si masakra e Memaliajt, ku u vra Shyqyri Kalemi, babai i Adriatik e Zamir Kalemit dhe dy persona të tjerë, kamarieri dhe një klient i lokalit.