INTERVISTA/ ”Nga gabimi i ndryshimeve në Ligjin e Sportit deri te përplasja me KOKSH, FSHF në mbrojtje të së drejtës”, Hicka: Presim reflektim, ja rruga e duhur për zhvillimin (VIDEO)

Miratimi nga Parlamenti i ndryshimeve mbi ligjin e sportit ka sjellë një situatë jo pozitive, teksa mes FSHF-së, KOKSH dhe Qeverisë Shqiptare është krijuar një hendek.

Kundër këtyre ndryshimeve ka dalë Federata Shqiptare e Futbollit, që është shprehur se diçka e tillë nuk i shërben të mirës së sportit.

Envi Hicka, avokat, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, nuk hezitoi të fliste për arsyet se përse mbahet ky qëndrim, çfarë efektesh priten dhe e fundit por jo më pak e rëndësishmja, pse mungon një marrëveshje?

Në bisedën e bërë me gazetaren Trevisa Tufa, Hicka tregon këndvështrimin e tij për këtë çështje kaq të nxehtë.

 

 

Avokat, së fundmi me 71 vota pro dhe 4 abstenime, u miratuan ndryshimet mbi projektligjin e ri për sportin, pse FSHF e konteston, pse bëri thirrje që të mos votohej?

Ligji i sportit është ndryshuar, në 10 vitet e fundit, 3-4 herë. Është shumë për një ligj që të ndryshojë. Nëse diçka nuk arrin qëllimet e veta, kjo nuk do të thotë se duhet të ndryshohet ligji që të arrihet qëllimi. Njerëzit duhet të modifikojnë sjelljet e tyre në përputhje me ligjin. Arsyeja se përse FSHF është kundër, ka të bëjë me faktin se këto shtojnë ndikimin shtetëror në këtë sektor. Ky është një sektor shoqëror por edhe ekonomik. Ndryshimet që janë bërë shtojnë nivelin e kontrollit shtetëror, nëpërmjet financimit në këtë sektor. Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë. Shteti duhet të jetë rregullator, jo aksioner. Duke qenë se sporti nuk mbahet dot me forcat e veta, ai financim që i bën shteti sportit, bëhet instrument për kontrollin e organizatave sportive.

Këtë periudhë, FSHF ka qenë shumë afër me Qeverinë, duke organizuar shumë turne, keni pasur një bashkëpunim të ngushtë, pse u la jashtë FSHF nga një ligj kaq i rëndësishëm, pse nuk ishit prezent në një tryezë kaq jetike për sportin?

As unë dhe as FSHF, në asnjë rast këtë debat nuk synon që ta zhvendosë nga rrafshi sportiv dhe shoqëror në rrafshin politik. Nuk është qëllimi ynë. Ne mendojmë që do kemi marrëdhënie të mira me qeverinë, ne po bëjmë disa vërejtje që kanë karakter institucional dhe juridik.

Çfarë efektesh pritet të ketë ndryshime në organizimin, në zhvillimin e sportit në vend?

Kjo është një gjë që është e vështirë ta thuash. Kur shtohen instrumentet për ta kontrolluar këtë sektor, ne na bën të dyshojmë për qëllimet.

Pika ku përplaseni më fort, ose më saktë që iu ndan përfundimisht, është krijimi i KAS-it shqiptar, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, çfarë i druheni, çfarë ju shqetëson?

Ky është problem delikat. Nëse nuk do ketë reflektim, do përfundojë në Gjykatë Kushtetuese. Ne do i drejtohemi edhe Presidentit. Çfarë ndodhë tani me krijimin e Arbitrazhit Sportiv? Krijohet një gjykatë që është jashtë sistemit gjyqësor shqiptar. Mënyra si zgjidhen gjyqtarët, nuk i lihet KLGJ-së, por bëhet nga një organizatë private si KOKSH. A është kjo një organizatë e paanshme? Republika e Shqipërisë, zgjidhjen e mosmarrvveshjeve, nuk mund t’ia lejë në dorë dikujt tjetër. Kjo i bie që nuk e bën detyrën ndaj kësaj pjese të shoqërisë. Ju keni dëgjuar që kemi patur një konflikt me këtë organizatë dhe e kemi zgjidhur në CAS-in e Lozanës.

E mbyllët Asamblenë me një vendim të fortë, ngrirje e marrëdhënieve me KOKSH, pse pikërisht tani, çfarë ju shtyhu, dhe çfarë plani keni në vijim?

Ne në mbledhjen e fundit bëmë një kërkesë për të futur në rendin e ditës mbajtjen e qëndrimit për zbatimin e vendimit të arbitrazhit të Lozanës. Si mund të jetë organizatë demokratike, kur nuk lejohet të ngresh një diskutim. Ka një problem, në këtë organizatë, nëse qeveria i mbyll rubinetin e parave, ato shkojnë në reanimacion. E vetmja shoqatë që është e pavarur është FSHF, ata të tjerët nuk marrin më rrogën, nuk ushqejnë më familjen nëse fondet publike i ndërpriten.

Avokat, pse këto dy institucione vendosin kushte, a nuk ishte mundësia që të gjenit një zgjidhje, pse duhet të vinim në këtë pikë?

Ne do iu ftonim edhe ju të medias që të dëgjonit debatin, të jepnit edhe ju mendimet tuaja.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme, në Asamble u konfirmuar skema e Final4, po ju ishit konsultuar me aktorët e futbollit, a ishin të gjithë dakord me këtë skemë?

Ajo që është bërë në Asamble dhe jo vetëm, ka qenë një studim i FIFA-s dhe UEFA-, në lidhje me konkurueshmëri shumë të lartë me këtë formulë. Kjo është një formulë ka shtuar edhe të ardhurat. Sot kjo gjë është e vogël, por shpresoj që do rritet. Qëllimi i një gare sportive është të ketë konkurencë, deri në vërshëllimën e fundit.

(J.S/)


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×