Ndarja nga jeta e Mitropolitit Dhimitër, Kryepeshkopi Joan: Kujtimi i tij do të jetojë përjetë

Me dhimbje, por edhe me mirënjohje të thellë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë i dha sot lamtumirën Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitrit, në një ceremoni të përshpirtshme të udhëhequr nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joan.

Në fjalimin e tij në shërbesën e varrimit, Kryepeshkopi Joan vlerësoi jetën e Mitropolitit si një shembull i rrallë i përkushtimit shpirtëror dhe sakrificës baritore. Ai theksoi se pavarësisht pikëllimit për ndarjen fizike, shpresa e Ngjalljes na udhëheq përtej dhimbjes: “Vdekja nuk është fundi, por fillimi i jetës së vërtetë.”

Mitropoliti Dhimitër, i lindur në Serez të Greqisë më 1940, hyri në jetën monastike në Manastirin e Shën Ekaterinës në Sinai dhe për dekada me radhë shërbeu me devocion në Shqipëri, veçanërisht në rindërtimin e Kishës pas rrënojave të komunizmit. Nga viti 1994 e deri në vitin 2006 ishte Protosingjel në Gjirokastër dhe më pas, për 19 vite, Mitropolit i saj.

“Me përulësi dhe urtësi, ai ndërtoi ura dhe solli paqe,” tha Kryepiskopi, duke kujtuar ndikimin e tij tek brezat e rinj, komuniteti dhe Sinodi i Shenjtë. Ai nënvizoi gjithashtu fjalët e fundit të ndjera të Mitropolitit Anastas, që Dhimitri i përqafoi dhe mishëroi me jetën e tij: “Jini të bashkuar dhe ruani unitetin me çdo sakrificë.”

Kisha Ortodokse dhe grigja e Gjirokastrës do të mbajnë në zemër kujtimin e bariut të tyre të dashur, ndërsa kujtimi i tij do të jetë i përjetshëm në lutjet dhe historinë e Kishës Shqiptare.

Fjalimi i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Imzot Joanit,  në shërbesën e varrimit të Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësisë së Tij, Imzot Dhimitrit:

(1 korrik 2025)

E nderuar është para Zotit vdekja e oshënarëve të Tij

(Ps.115:5)

Jemi mbledhur sot me hidhërim të thellë, për të përcjellë vëllain dhe bashkëmeshtarin tonë, Hirësinë e Tij, Mitropolitin e Gjirokastrës, Imz. Dhimitrin. Më 28 të muajit, në prag të festës së Apostujve të Shenjtë, Zoti e thirri pranë Vetes këtë shërbëtor të Tijin, i cili, sipas shembullit të Apostujve, ia kushtoi gjithë jetën  shër-bimit të Ungjillit. Ndjenja të përziera na pushtojnë në atmosferën e festës së Apostujve të Shenjtë. Kemi pikëllim dhe vajtojmë, por shpresa e mesazhit të Ngjalljes, që predikuan Apostujt e Krishtit dhe vazhdon të  predikohet pandërprerë  nga Kisha, nuk na lejon të  mbytemi në  detin e hidhërimit. Sepse – siç na mëson Shën Pavli – edhe nëse rrojmë, për Zotin rrojmë; edhe nëse vdesim, për Zotin vdesim. Edhe nëse rrojmë pra edhe nëse vdesim, të Zotit jemi (Rom 14:8).

Vëllai ynë, Mitropoliti  Dhimitër, lindi në Serez të Greqisë në shtator të vitit 1940. Qysh në moshë të re dëgjoi thirrjen e Zotit dhe iu bind asaj. Studioi në Fakultetin Teologjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ku mori një formim të mirë teologjik, që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Por zemra e tij nuk kërkonte vetëm arritje akademike, por kryesisht për-sosmërinë shpirtërore dhe asketike.

Në vitin 1974, në moshën 34-vjeçare, hyri në Manastirin e Shenjtë të Shën Ekaterinës së Sinait, ku u qeth murg. Më 1988 u dorëzua Hierodhjakon dhe Hieromonak. Në këtë kështjellë historike dhe shumë të njohur të Orthodhoksisë, nën hijen e malit ku Perëndia i foli Moisiut, Hirësi Dhimitri përjetoi misterin e shkretëtirës dhe të heshtjes. Punoi me përkushtim në fushën e paleografisë dhe të sistematizimit të dorëshkrimeve të çmuara të manastirit. Përvoja në Sina e formoi thellësisht personalitetin e tij. Mësoi vlerën e heshtjes, të bindjes dhe të përulësisë. Kultivoi jetën e thellë të brendshme që më vonë do të bëhej burim force për punën e tij të vështirë baritore, sepse, siç thotë Shën Joan Gojarti: Janë më të shumta stuhitë që trazojnë shpirtin e priftit, sesa valët që godasin detin.

Në gusht të vitit 1991, kur Ekzarku Patriarkal, Episkopi i Andrusës, Imzot Anastasi mbërriti në Shqipëri për të marrë përsipër veprën titanike të rindërtimit të Kishës së shkatërruar, Hieromonaku Dhimitër,  me zellin e tij të madh apostolik ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes së tij. La Manastirin e dashur të Sinait dhe erdhi të shërbente atje ku Kisha kishte nevojë. Ai e ndjeu këtë thellësisht, pasi nga Metoqi i Manastirit të Shenjtë të Sinait në Janinë, ku shërbente, informohej për të gjitha vështirësitë e popullit të Shqipërisë.

Shqipëria e vitit 1991 ishte një vend që sapo po dilte nga errësira e regjimit ateist. Kisha ishte plotësisht e shkatërruar. Në këtë peizazh shkretimi, Kryepiskopi Anastas dhe bashkëpunëtorët e tij u thirrën të bënin të pamundurën njerëzore, por të mundshmen për dashu-rinë e Perëndisë: të ringjallnin nga gërmadhat Kishën tonë.

Takimi i Hieromonakut Dhimitër, si dhe i të gjithë neve në atë periudhë, me Kryepiskopin Anastas, ishte vendimtar. Hierapostulli i ditur njohu menjëherë në personin e Hieromonakut të Sinait një bashkëpunëtor të çmuar. Besimi që u zhvillua mes tyre ishte i thellë dhe i patundur. Dhimitri u bë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryepiskopit në veprën e rindërtimit të Kishës.

Që nga vjeshta e vitit 1994, shërbeu si Protosingjel i Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, në një nga zonat më të ndjeshme të Kishës sonë. Gjirokastra, një qytet me histori të pasur, por edhe me kompleksitet të madh në ekuilibrat etnikë dhe fetarë, kishte nevojë për një bari me përvojë, me urtësi dhe me dallim. Për dymbëdhjetë vjet, si Protosingjel, Atë Dhimitri punoi pa u lodhur në Mitropolinë e Gjirokastrës. Udhëtonte nëpër fshatra, kryente liturgji në kisha të rrënuara, duke mbështetur dhe inkurajuar popullin në këtë periudhë të vështirë.

Vetë zgjedhja e tij nga Kryepiskopi Anastas përbën në vetvete provë të dhuntive dhe vlerës së të ndjerit. Kryepiskopi Anastas nuk i zgjidhte bashkëpunëtorët e tij rastësisht; kërkonte njerëz që ndërthurnin pjekurinë shpirtërore me mençurinë baritore, formimin teologjik me përulësinë, zellin me durimin. Pikërisht këto dhunti njohu te Atë Dhimitri, dhe për këtë më 11 nëntor 2006, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, anëtar i të cilit ishte tashmë edhe folësi, pas miratimit të Statutit nga Asambleja e Përgjithshme Kleriko-Laike, e zgjodhi atë Mitropolit të Gjirokastrës. Dorëzimi i tij u bë më 16 nëntor në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, dhe fronëzimi i tij më 26 nëntor në Kishën e Shenjtë të Kryeengjëjve në Gjirokastër.

Si Mitropolit, Dhimitri zhvilloi një veprimtari baritore të shumanshme për nëntëmbëdhjetë vjet. Shën Joan Gojarti shkruan: Prifti duhet të sillet ndaj grigjës së tij, pikërisht ashtu siç do të sillej një baba ndaj fëmijëve të tij të vegjël. Këtë dashuri atërore e mishëroi Mitropoliti Dhimitër. Njëkohësisht funksionoi si faktor stabilizues. Me dallimin e tij dhe dashurinë e tij arriti të bashkojë grigjën, të ndërtojë ura mbi ndasitë, të sjellë paqe atje ku kishte përçarje.

Kujdes të veçantë tregoi për të rinjtë: studentët e Liceut Kishtar “Kryqi i Çmuar”, si dhe të konviktit për vajzat në Bularat dhe shkollat e Mitropolisë, të cilat përbëjnë shembull institucionesh arsimore.

Ishte i sjellshëm me të gjithë, i paktë në fjalë, por thelbësor, i qëndrueshëm në parimet e tij, por plot mirëkuptim për dobësitë njerëzore. Kujtoj vëllanë Dhimitër, frymën e respektit dhe bashkëpunimit që patëm gjithmonë dhe që e vulosi me praninë e tij sakrifikuese në zgjedhjen e Kryepiskopit të ri të Shqipërisë para pak muajsh. Ndërsa shëndeti i tij ishte tronditur, nuk ngurroi të udhëtonte për në Tiranë për zgjedhjen dhe të qëndronte në këmbë për orë të tëra në Liturgji, duke treguar në këtë mënyrë respektin për  Sinodin, dashurinë  e madhe për Kishën dhe ndjenjën e përgjegjësisë  për të  ardhmen dhe unitetin e saj.

Nuk do t’i harroj fjalët e fundit, të Kryepiskopit Anastas, kur, si përfaqësi  nga Sinodi i Shenjtë, e vizituam në spitalin “Hygeia” të Tiranës: Jini të bashkuar dhe ruani unitetin me çdo sakrificë, duke na i përsëritur disa herë këto fjalë. Më lejoni që  këtë mesazh uniteti, që na theksoi Kryepiskopi Anastas atë ditë, t’ua përcjell edhe gjithë ju vëllezërve të Mitropolisë së Gjirokastrës. Jam i sigurt, se brenda këtij uniteti në Krishtin, hierarkët e lumur të Sinodit tonë që janë larguar prej nesh dhe vazhdojnë të luten për ne, të ndërmjetojnë te Krishti me guxim për grigjën e Kishës së tyre të dashur, së cilës ia kushtuan jetën. Këtij uniteti do të përpiqem ti shërbej edhe unë si Kryepiskop, me hirin e Perëndisë.

Vëllezër dhe motra,

Pikëllimi i ndarjes është i rëndë, por shpresa e Ngjalljes e kthen pikëllimin në gëzim. Sepse e dimë se vdekja nuk është fundi, por fillimi i jetës së vërtetë sipas premtimit të Zotit dhe Perëndisë  tonë Jisu Krishtit.

Kisha e Shqipërisë do të të kujtojë gjithmonë me mirënjohje. Gjirokastra do të të mbajë në zemër si bariun e saj të dashur dhe ne do t’i qëndrojmë  pranë  me dashuri dhe përkujdesje grigjës suaj të bekuar, të  cilën e drejtuat për 19 vjet.

I përjetshëm qoftë kujtimi yt, o vëllai ynë  i lumur dhe i paharruar! Amin.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×