Xabi Alonso, trajneri i Real Madrid, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para ndeshjes ndaj Juventusit (Kupa e Botës për Klube).
“Ata kanë një lojë shumë intensive, shumë në stilin e Igor Tudor. Kanë lojtarë me nivel shumë të lartë, shumë konkurrues. Do të jenë një kundërshtar i vështirë. Pika jonë e referimit për bardhezinjtë nuk është ndeshja e fundit kundër City, por të tjerat. Do të jemi gati”.
U fol edhe për Rodrygo, që Xabi Alonso u duk se deshi ta ngushëllonte pas ndeshjes me Salzburgun, ku luajti vetëm disa minuta: “Pas ndeshjes përpiqem t’iu afrohem të gjithë lojtarëve. Kam përvojë dhe e di që në këto turne, të gjithë janë të rëndësishëm, si ata që nisin titullarë, ashtu edhe ata që hyjnë nga stoli. Të gjithë duhet të jenë të përgatitur. Po stërvitet mirë, pastaj është detyra ime të vendos kush luan”.
Do të ketë edhe dy rikuperime të rëndësishme, edhe pse vetëm për stolin: “Si Carvajal, ashtu edhe Militao janë pjesë e skuadrës për këtë ndeshje. Pas dy periudhash të gjata rikuperimi, do të jetë bukur t’i kemi sërish në fushë. Do të jenë të rëndësishëm për skuadrën dhe kjo ndjesi është pozitive. Në aspektin konkurrues do t’iu duhen më shumë minuta. Carvajal do të jetë shumë i rëndësishëm sezonin e ardhshëm, e njëjta gjë vlen për Militao”.
Xabi, në fund tha mendimin e tij edhe për kritikat ndaj Kupës së Botës për Klube, për shembull nga Jurgen Klopp: “Nuk besoj se frika nga dëmtimet është një faktor vendimtar. Kjo nuk ka vend në diskutimet tona. Përgatitja jonë është për Kupën e Botës. Mendojmë vetëm për Juventusin. E vlerësojmë Kupën e Botës së Klubeve, sepse ndeshjet po fitojnë vrull dhe rëndësi. Bota e futbollit e vlerëson formatin dhe ne jemi shumë të përqendruar”.