Zjarri masiv përfshin një sipërfaqe me ullinj në fshatin Balëz të Bradasheshit

Një vatër e fuqishme zjarri ka përfshirë sot një sipërfaqe të madhe me ullinj në fshatin Balëz, pjesë e Njësisë Administrative Bradashesh në bashkinë Elbasan. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer rreth orës 11:55 paradite dhe është përhapur me shpejtësi, duke marrë përmasa alarmante.

Flakët të cilat janë përshkruar si jashtëzakonisht të mëdha, kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë toke të mbjellë me ullinj duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke rrezikuar përhapjen drejt zonave të tjera me bimësi dhe banesa të afërta. Terreni i pjerrët  , temperaturat mjaft të larta dhe erërat që fryjnë në këtë periudhë të nxehtë vere po e bëjnë të vështirë ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit. Në vendngjarje janë paraqitur menjëherë forcat zjarrfikëse të Elbasanit të cilat po përballen me vështirësi në kontrollin e flakëve për shkak të intensitetit të lartë të zjarrit dhe terrenit të vështirë.

Po ashtu janë aktivizuar dhe strukturat e mbrojtjes civile, ndërsa autoritetet vendore kanë kërkuar ndihmën e forcave shtesë për të shmangur përkeqësimin e situatës.Banorët e zonës janë vënë në alarm, ndërsa disa prej tyre kanë nisur të ndihmojnë në përpjekjet për izolimin e zjarrit me mjetet e tyre rrethanore. Aktualisht nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet në sipërfaqen e mbjellë me ullinj konsiderohen të mëdha.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së zjarrit dhe të njoftojnë menjëherë për çdo vatër të re që mund të shfaqet. Hetimet janë në fazën paraprake për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili ende mbetet i paqartë.Situata mbetet shqetësuese dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet lokale dhe forcat e emergjencës.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×