Gjatë sezonit 2024–2025, sektori i arbitrimit ka arritur zhvillim të dukshëm si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, duke konsoliduar profesionalizmin dhe besueshmërinë e arbitrave shqiptarë në fushën e lojës dhe përtej saj.
Rritje dhe përfaqësim ndërkombëtar
Ky sezon regjistroi numrin më të lartë të arbitrave shqiptarë me stemën e FIFA-s në historinë e futbollit tonë:
- 12 arbitra meshkuj në futbollin e meshkujve;
- 6 arbitre femra në futbollin e vajzave;
- 1 arbitër në Futsal;
- 2 vëzhgues të UEFA-s.
Zyrtarët shqiptarë kanë qenë të angazhuar në 47 ndeshje ndërkombëtare, me ftesa nga federata prestigjioze si Greqia dhe Katari, ku kanë gjykuar edhe ndeshje të nivelit të lartë derbi, AEK – Panathinaikos, me vlerësime shumë pozitive.
Rritje e bazës së arbitrave
Falë Akademisë së Arbitrimit, fushatës “Bëhu Arbitër” dhe rritjes së mbështetjes financiare, është rritur ndjeshëm numri i arbitrave aktivë:
- Nga 276 meshkuj dhe 25 femra në sezonin 2022–2023,
- në 300 meshkuj dhe 27 femra në sezonin aktual 2024–2025.
Kjo rritje reflekton interesin në rritje për këtë profil, veçanërisht nga të rinjtë, dhe efektivitetin e mbështetjes institucionale të ofruar nga FSHF.
Edukim dhe zhvillim profesional
Gjatë sezonit janë organizuar trajnime të rregullta për arbitrat në të gjitha nivelet, duke theksuar jo vetëm interpretimin teknik të rasteve, por edhe filozofinë e drejtimit të një ndeshjeje futbolli.
Këto trajnime kanë përmirësuar ndjeshëm qasjen, vendimmarrjen dhe koherencën në zbatimin e rregullave.
Arbitrat janë një pjesë vendimtare e lojës së futbollit. Mund të bëheni pjesë e botës së arbitrimit duke nisur aplikimin tuaj në këtë link: Bëhu Arbitër