Pas denoncimit të bërë në emisionin investigativ “Tak Fak” në News24 për mbylljen prej e hyrjes kryesore të ambulancës në fshatin Cernalevë, në njësinë administrative Shishtavec, situata ka marrë një kthesë pozitive.
Ekipi i emisionit “Tak Fak” shkoi në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Kukës, ku u takua me drejtorin e Qendrës Shëndetësore të Shishtavecit. Ai u shpreh se kishte pasur një marrëveshje gojore me kryeplakun e fshatit, Mahir Hysenaj, sipas së cilës personat me aftësi të kufizuara duhet të lejoheshin të hynin në qendër përmes hyrjes alternative, më të përshtatshme për ta.
Megjithatë, drejtori tha se kryeplaku kishte thyer këtë marrëveshje dhe e kishte “prerë në besë”. Ai gjithashtu premtoi se do të ndërhynte personalisht, duke kërkuar zgjidhje nga instancat më të larta për të garantuar aksesin e të gjithë banorëve në shërbimet shëndetësore.
Falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të ekipit të “Tak Fak”, dera e ambulancës u hap vetëm një ditë pas denoncimit, duke hequr kështu një pengesë të rëndësishme për banorët, sidomos për personat me nevoja të veçanta.