Juve lufton fort, por në fund, diferencën ndaj Real Madrid e bëri një gol i Gonzalo Garcia-s, me ekipin e Alonso-s që “fluturon” në fazën çerekfinale pas suksesit 1-0 përballë “Zonjës së Vjetër”. Më në fund rikthehet edhe Mbappe, por “bomberi” francez dukshëm nuk ishte në formën e tij më të mirë. Me Juven të fundit, tani e gjithë Serie A shkon me pushime.
Shansin e parë në këtë super sfidë e kishte Kolo Muani, por “gjelin” i “Zonjës” gaboi përballë Courtois, ku parabola e tij përfundoi pak mbi traversë. Pas këtij episodi, Reali mori kontrollin e lojës, me spanjollët që provuan me dy tentativa radhazi, por portieri Di Gregorio ishte një mbrëmje fantastike, duke mbajtur Juven në lojë me pritjet e tij.
Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 53-të, Di Gregorio ishte i pafuqishëm për të ndalur goditjen perfekte të Gonzalo Garcia-s, me sulmuesin spanjoll që me kokë brenda në zonë tundi rrjetën. Reali kishte kontrollin total të ndeshjes, por tentativat e tyre nga distanca gjetën një “mur” të ngritur nga Di Gregorio, me këtë të fundit që ndali çdo goditje, por kaq nuk mjaftoi pasi faza ofensive e “Zonjës së Vjetër” nuk ishte e kolauduar si duhet, prodhuan pak për të merituar diçka më shumë nga ky takim, vetëm 2 gjuajtje në kuadrat. Real Madrid kalon në fazën çerekfinale, aty ku do të përballet me B.Dortmund.
Në Itali, mediat nuk e bëjnë dramë këtë eliminim, fundja Juve del nga Botërori i Klubeve me kokën lart. Tani Tudor mund t’i gëzohet faktin që në Torino do të zbarkojë David.
()