Një situatë e pazakontë ka ardhur nga fshati Cernalevë, në njësinë administrative Shishtavec, ku kryeplaku Mahir Hysenaj ka vendosur prej dy vitesh të mbyllë hyrjen kryesore të ambulancës së fshatit, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët, sidomos për personat me nevoja të veçanta.
Rasti u denoncua në redaksinë e emisionit investigativ “Tak Fak” në News24 nga një banor paraplegjik, i cili shprehu shqetësimin e tij për mungesën e aksesit në qendrën shëndetësore. Sipas kryeplakut Hysenaj, dera e mbyllur i përket një pjese të godinës që shërben si xhami dhe përdoret për rituale fetare, ndaj sipas tij, nuk duhet të hapet.
Gazetarja e “Tak Fak” shkoi në fshat dhe u përball me kryeplakun, i cili deklaroi prerë se dera nuk do të hapet “sa të jetë ai kryeplak”. Ai mohoi se ka bllokim të aksesit për banorët, pavarësisht faktit se hyrja ndodhet në një terren të vështirë, gjë që e vështirëson lëvizjen, veçanërisht për njerëzit me aftësi të kufizuara.
“Ç’më intereson mua?”, u shpreh ai kur u pyet për vështirësitë që po kalojnë banorët.