VIDEO/ Re të mëdha tymi toksik mbulojnë Elbasanin, zjarri në landfill aktiv prej më shumë se 10 orësh

Elbasani ka lënë pas një situatë të jashtëzakonshme emergjence të shkaktuar nga disa zjarre të fuqishme që përfshinë disa zona periferike të qytetit.

Kulmi i situatës arriti kur në fushën e grumbullimit të mbetjeve, të njohur si Landfilli i Inceneratorit të Elbasanit zjarri shpërtheu rreth orës 17:10 dhe ende pas më shumë se 10 orësh përpjekjesh, vatra vijon ende të jetë aktive në thellësinë e masës së mbetjeve, ndërsa re të mëdha tymi toksik vijojnë të dalin mbi qytet.

Në vetëm pak orë, Elbasani u përball me katër vatra zjarri, ku përveç landfillit, flakët përfshinë dhe një kodër me ullishte në fshatin Balëz, në veriperëndim të qytetit.

Qindra rrënjë ullinj shekullorë janë shkrumbuar, ndërsa terreni i thyer malor, temperaturat e larta dhe era e fortë e bënë tepër të vështirë ndërhyrjen nga toka. Në këtë rast, forcat e ushtrisë ndërhynë nga ajri me helikopterë, duke shmangur përhapjen më tej të flakëve.

Për të përballuar situatën kritike, u angazhuan 15 mjete zjarrfikëse dhe mbi 100 efektivë nga të gjitha bashkitë e qarkut Elbasan, si dhe forca ndihmëse nga Kamza, Tirana dhe Berati. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Zjarrfikëses, Arben Cara, ndërhyrja në landfille është një nga sfidat më të mëdha, për shkak të përmasave të mbetjeve, lëndëve të djegshme dhe temperaturave të larta në thellësi.

“Është ende herët për të folur për shkaqet konkrete tha mbrëmë Cara. Zjarret në landfill janë ndër më të vështirat për t’u menaxhuar. Kërkojmë zbatim të ligjit dhe ndëshkim të çdo akti zjarrvënieje të qëllimshme,” deklaroi Cara.

Ndërkohë, vatrat e tjera të regjistruara në fshatrat Mëngël dhe Samurr u neutralizuan brenda pak minutash, falë reagimit të shpejtë të forcave vendore. Në sfondin e kësaj situate alarmante, hetimet për menaxhimin e mbetjeve në Elbasan kanë hyrë në një fazë të re. Dosja penale nr. 1417, e hapur që në vitin 2024 me akuza për “Shpërdorim detyre” dhe “Menaxhim të paligjshëm të mbetjeve”, ka sjellë në Prokurorinë e Elbasanit vetëm 3 nga 10 zyrtarët e thirrur, të cilët dhanë shpjegime para Oficerit të Policisë Gjyqësore, Hasan Asllani.

Në fokus të hetimeve është tashmë edhe marrëdhënia institucionale dhe financiare mes zyrtarëve të 8 bashkive të qarkut dhe kompanisë “ECO-ELB”, e cila ka administruar landfillin e mbetjeve dhe drejtohet nga Leli Kraja.

Përmes një fletë-thirrjeje të lëshuar nga prokurori i çështjes, janë ftuar për t’u paraqitur drejtorë juridikë dhe shefa finance nga bashkitë, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Prrenjas, Cërrik, Belsh, Peqin dhe Rrogozhinë.

Hetimi është konsideruar si një nga çështjet më voluminoze dhe komplekse, ku përveç aspektit penal, pritet të zbulohen edhe lidhje të mundshme të interesit financiar midis institucioneve publike dhe operatorëve të përfshirë në menaxhimin e mbetjeve urbane.

Kombinimi i situatës së zjarreve me hetimet e thelluara për menaxhimin e mbetjeve, e vendos Elbasanin në një moment kritik, që kërkon masa të menjëhershme, transparencë institucionale dhe ndëshkim të çdo shkeljeje që ka sjellë pasoja në mjedis, shëndet publik dhe rend urban.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×