Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar përplasjen e fundit në rrjetet sociale mes kryeministrit Edi Rama dhe politikanit britanik Nigel Farage, lidhur me emigracionin dhe emigrantët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Krashi vuri në dukje se për të kuptuar debatin duhet parë konteksti politik në të cilin ai zhvillohet. “Nigel Farage ka përfaqësuar tri herë Britaninë në Parlamentin Evropian dhe ka qenë udhëheqës i një partie që që nga vitet ’90 ka pasur si qëllim largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Tani që Brexit është realizuar, ai politikisht ka mbetur pa një kauzë të qartë,” tha deputeti socialist.
Krashi theksoi se Britania po përballet me sfida të mëdha për menaxhimin e fluksit të emigrantëve. “Vetëm deri në 30 qershor, mbi 20 mijë klandestinë kanë kaluar përmes kanalit të La Manshit, çka tregon dështimin spektakolar të politikave për emigracionin, përfshirë edhe planin për ndërtimin e kampeve në Ruandë,” u shpreh ai.
Sipas Krashit, emigracioni është kthyer në një temë të ndjeshme politike në Britani, që po përdoret shpesh si instrument për të gjeneruar kapital politik.