Deputeti i zgjedhur i PD-së, Klevis Balliu, ka denoncuar praninë e një zyre elektorale të paligjshme të Partisë Socialiste në Yzberisht, më 11 maj.
Ai akuzon institucionet e drejtësisë për mosveprim dhe fshehje të provave. Balliu deklaron se Prokuroria ka refuzuar të nisë hetimet dhe se SPAK nuk është përfshirë fare në çështje.
Sipas tij, kjo ngjarje tregon kapjen e shtetit dhe manipulimin e zgjedhjeve nga qeveria.
Pjesë nga fjala e deputetit të zgjedhur të PD-së Klevis Balliu:
Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave dhe institucioneve shtetërore, Sot ndodhem përpara jush për të ndarë një rast flagrant të shkeljes së ligjit zgjedhor dhe të mosveprimit të institucioneve të drejtësisë, që dëshmon qartë kapjen e shtetit dhe funksionimin e një sistemi të dyfishtë ligji në Shqipëri.
Më datë 11 maj, rreth orës 17:00, bashkë me disa kolegë nga Partia Demokratike, konstatuam praninë e një zyre elektorale të paligjshme në zonën e Yzberishtit. Pas sinjalizimeve të ardhura nga qytetarët, vendosëm të verifikonim nga afër situatën.
Në një ambient në katin e parë të një ndërtese, i maskuar me letra të bardha dhe i mbyllur nga sytë e publikut, ndodheshin persona të lidhur me strukturat e Partisë Socialiste. Fillimisht, dy të rinj tentuan të paraqisnin ambientin si një “lokal”, por sapo kuptuan praninë e kamerave, u larguan me nxitim. Dy zonja të tjera, të pranishme brenda, tentuan të pengonin hyrjen tonë dhe më pas u larguan duke fshehur identitetin.
Ky ambient nuk ishte as i deklaruar, as i regjistruar si zyrë elektorale, në kundërshtim me çdo kërkesë të ligjit për fushatën zgjedhore. Pas njoftimit të policisë, e cila deklaroi se nuk mund të ndërhynte, kontaktuam administratorin e pallatit, i cili në prani të efektivëve të policisë dhe të pranishmëve, dëshmoi qartësisht se ky ambient nuk ishte lokal, por një zyrë elektorale e Partisë Socialiste. Këtë e kemi të dokumentuar me pamje filmike, që i janë dorëzuar organeve të rendit.
Pas kësaj ngjarjeje, kallëzimi u depozitua pranë Komisariatit nr. 6, i cili deklaroi nisjen e hetimeve. Por ngjarjet që pasuan e zbuluan farsën. Dy ditë më vonë, në një qendër votimi në zonën e Kasharit, një përfaqësues i Partisë Demokratike u godit fizikisht nga persona të paidentifikuar që u futën dhe dolën lirshëm nga qendra e votimit. Në këtë qendër, identifikova një prej individëve të përfshirë në ambientin e paligjshëm të Yzberishtit, për të cilin lajmërova menjëherë policinë. U informova se ai u shoqërua, por çfarë ndodhi më pas, askush nuk e di.
Skandali thellohet kur Prokuroria e Tiranës më njofton me një vendim absurd: mosfillimin e hetimeve për këtë shkelje të rëndë të ligjit zgjedhor. Akoma më i rëndë është fakti që SPAK, i cili ka për detyrë të hetojë krimet zgjedhore, nuk është përfshirë fare, sikur kjo çështje të mos ekzistonte.
Dëshmia e administratorit të pallatit, e qartë dhe e dokumentuar me video, është censuruar në dosjen e Prokurorisë. Është hequr pjesa ku ai konfirmon se bëhet fjalë për një zyrë elektorale të Partisë Socialiste, duke u përpjekur kështu të justifikohet mosveprimi.
Tregojmë dëshminë e administratorit sipas Prokurorisë dhe pastaj tregojmë të vërtetën me video.
Kjo është video e një pjese të dëshmisë së administratorit.
Të nderuar qytetarë,
Ky është thelbi i krizës ku ndodhet Shqipëria: Edi Rama nuk manipulon zgjedhjet sepse opozita nuk funksionon, ai i manipulon sepse kontrollon drejtësinë.
Drejtësia nuk vepron ndaj krimeve zgjedhore. Nuk vepron ndaj vjedhjes së votës. Nuk vepron ndaj bandave që blejnë vota dhe mbajnë në pushtet një regjim të kriminalizuar.
Ndërkohë, e njëjta drejtësi ka gjetur “arsye të plota” për të ndjekur penalisht mbi 1,000 qytetarë të Unazës së Re, për të ndjekur protestues që kërkojnë të drejtat e tyre, për të hetuar qytetarë të zakonshëm. Por kur bëhet fjalë për bandat zgjedhore, drejtësia hesht. SPAK hesht. Prokuroria mbyll sytë.
Sot, përmes kësaj deklarate, i bëj thirrje çdo institucioni të ndershëm, çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile dhe çdo qytetari që beson ende te e drejta: mos heshtni përballë këtij degradimi. Zgjedhjet e lira janë themeli i një shteti demokratik. Pa to, nuk ka as drejtësi, as ekonomi, as liri.
Unë jam i gatshëm të përgjigjem për çdo detaj të kësaj ngjarjeje, të paraqes çdo provë dhe të bashkëpunoj me çdo institucion që ka vullnetin për të mbrojtur ligjin dhe demokracinë.