Për gazetën portugeze “Record”, Miguel Goncalves, fizioterapisti i Diogo Jota-s, ka dhënë intervistën e parë pas vdekjes së sulmuesit të Liverpool në një aksident në Spanjë.
Goncalves theksoi se Jota ishte një person i cili i ndiqte rregullat dhe udhëzimet, ndërsa shtoi se kohët e fundit ka dëgjuar shumë gënjeshtra.
“Kam lexuar gjëra të pavërteta në internet dhe në media. Diogo dhe André nuk ishin duke festuar, nuk kishin një jetë të çrregullt. I përshëndeta atë dhe vëllain e tij André rreth orës 20:30. Vëllai i tij ishte një shoqërues shumë i mirë dhe kishte vendosur të udhëtonte me të, që të kalonin më shumë kohë bashkë. Nuk kishin ndërmend të shkonin në Santander menjëherë.
Më tha se udhëtimi do të zgjaste rreth tetë orë, por do të ndalonin në një hotel afër Burgos për të pushuar. Diogo ishte shumë i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tij profesionale. Planifikonin të mbërrinin të nesërmen në Santander, të merrnin anijen dhe të shkonin në Angli. Familja do të udhëtonte më vonë me avion. Fundjava do të përdorej për t’u organizuar dhe të hënën kishte planifikuar një kontroll mjekësor në Liverpool për të vlerësuar gjendjen e tij.
Fillova të punoja me të të shtunën e kaluar dhe isha me të çdo ditë deri të mërkurën. Kishte një përmirësim të jashtëzakonshëm. Ishte një profesionist shembullor. Ndiqte me përpikëri udhëzimet e mia, dhe kjo dukej qartë nga përparimi në shërim. Baza e mushkërisë së tij të djathtë ishte pak e dëmtuar, por me fizioterapi pas operacionit ishte thuajse në gjendje të mirë. Kur u largova prej tij, nuk kishte më dhimbje dhe ishte gati të kthehej në Liverpool. Ishte i motivuar, besonte te rikuperimi dhe ishte i entuziazmuar për sezonin e ardhshëm. Më tha se nuk do të merrte pjesë në turneun përgatitor të Liverpool-it në Japoni, që të përqendrohej në rikuperim dhe ishte i bindur se do të bënte një sezon shumë të mirë”, u shpreh Goncalves.