Gjatë në kujtesën e miletit do të mbahet mënd pikëllimi i Borës në vendin e së cilës përgojohet Zeqineja, tek shikonte xhaxhi Pandin të ngujuar mbi karrige për gjatë gjithë ditës!
Dukej sikur i thoshte: “T’u pata lutur të impenjoheshe më shumë, të paraqiteshe më mirë tek platforma ‘deputeti që duam’, por sakën, nejse ike ti e të erdhi kushërira Ina Majko – gajret!”
Madje edhe kur socialistët u mblodhën në mejhanen e Kuvendit për të pirë llallën e lamtumirës që Kostaqi i Harvardit si baxhier kishte tundur me dybek e ëmbëlsuar gojën me kekun që Mamica me ato duar të hajthme kishte nomatisur, ai nuk lëvizi. Ishte vuvosur i tëri.
Më ëndej një copë edhe mua, por Kryezevendes Lideri Muli me Gaz Bardhin më panë vëngër si qortim për oportunizëm e mu tha pështyma:
“Ne luftojmë, ti do të hash në çanak me dushmanin?”
U mblodha, u bëra grusht.
Mimi di Puccini dukej si një lis që duronte sepatat e fatit, por nuk rënkonte, e përzhitur në një heshtje solemne.
Ismet Beqiri që “Kronika” aq shumë e desh me sy të njomur, me merakun se çfarë po humbet ky parlament me ikjen e tij, na bekonte një e nga një duke na lënë uratën.
Petro Koçi dëneste për Ismetin, jo për vete.
Vullnet Sina për të cilin thuhet se do bëhet ministër mbrojtjeje, lexonte një libër dhe e kalonte kohën në mënyrë të kulturuar.
Gjeneral Kollçaku që nuk pa një ditë të bardhë, ndihej si Moisi Golemi që e rrjepnin dalëngadalë në sheshin e Stambollit.
Dilo Nasufi shfaqej si Barbarosa e thoshte: “Shyqyr që shpëtoi mjekra ime pa u percelluar!”
Laert Duro ishte i vetmi që edhe ditën e fundit e kishte mendjen tek puna! U printe dy karrove me damixhane fringo të reja, disa të veshur me dru, ca me kashtë e të tjerë me rreth hekuri të cilët i shkarkoi me merak e përkujdesje.
Ja dorëzoi Damos, i tha: “Ruaji si sytë se ato janë për lotët e rinj që do derdhen, të gëzimit e marazeve, për djersët e punës, për lëngje të tjera nga zori.”
Damo ndihej i prekur për besimin, por edhe i habitur pse nuk u ftua në Akademi për të dhënë së paku lëndën e fiskulturës?!
Laerti i tha: “Ti vazhdo stërvitu se të vjen radha, po mos merr ment e Ditmarit”.
Ermonela më në fund kishte kuptuar diçka nga politika.
Blero shpërndante buzëqeshje si profum sa endej këtej si një kujtim i katër viteve që vanë.
Dash Sula kalorës i sqimës, mbajtës shamishë e thilesh të praruara, vikati për të fundit herë, anatemen e Zotit lëshoi dhe iku pa kthyer kokën që mos t’i dukeshin lotët e madhit për Mamicen që i gurgullonin si ujë kroi.
Tezja erdhi, një me muzgun e perëndive të stepës!
Anila e pa qetë për zërat që Braçen e shohin si kryebujk kishte hedhur llafin për të larguar sikletin nga vetja që ajo (tezja) lan e fshin, hekuros e qendis për neomalësoren që zyrën t’ja lërë të pastër bilur.
Gonxhe pinte aspirina, në një anë Vin virani, në tjetrën gojët e këqia po buçasin që Onid Bejleri meqenëse ka një dell me Sindrit Bejlerin mund t’i heqë kulturën.
Jorushi i Tabakëve që më 11 Maj u ringrit si Anteu, më 1 korrik pati ditëlindjen, as kafe, as gjë prej gjëje nuk ofroi, po hiç asgjë. Gjithsesi vitet tutje ajo tehu, mbajti nja tre-katër fjalime të zjarrta si energji e moshës, ku i bëri copash të liqtë, mbase si qerasje për këtë rast.
Albana e kishte përmirësuar shumë qëndrimin ndaj meje, me gjasë nuk i dukem njeri aq i keq, ndoshta si ditë e fundit e legjislaturës u tregua zemërgjerë por xhani ma do pak më të ngrohtë.
Oerdi e Luani shfaqeshin si një tandem mistik i së ardhmes.
Ulsiu qiti kryet tek llozha e Bakë xhanit, ndenji si i përhumbur aty dy tre minuta!
“Erdhi Presidenti, erdhi Presidenti më në fund!” – pllaquri duart Eni Xake.
“Është Ulsiu moj,” – tha Etjeni, “por nuk del në kokë të vet ai, është shënjë, duhet një në vend të Haxhi Lleshit!” Xhikja kishte miqesi me Lymin, Toni si pezak duhet të zgjedhë mes Taos e Ulsiut!
Blendi Klosi po piqet gjithnjë e më shumë, nuk shfaq as gëzim e as mërzi, rri ashtu i mufatur si bakllavaja në sherbet, por mendonte: “Ja, Sara Mile do bëhet ministre për integrimin, sa mirë!”
Petrit Malaj u gëzua qamet kur Bujari ynë tha që paskësh respekt për të si profesionist, dhe i thoshte Gaz Bardhit: “Gabove që më shave i paaftë e budalla, ja e sheh! Delina do ja zërë prapë vendin, vallë?!”
Vin Hoxha po ndien peshën e madhështisë, ishte gati të ftonte në duel Gonxhen për Bashkinë e Tiranës, megjithëse Agron Malaj si gardist e me kulturë zogiste po përgatitet për ministër i brendshëm.
Tao rrinte siç i ka hije një akademiku, ëndërronte për ministrinë e re të diasporës me dy zëvendësa: Etilden për vendet e BE dhe Tonin për Amerikën e Anglinë.
Megjithëse me fjalimin e fundit dje, Etilda i forcoi pozitat për ministre e marrëdhënieve me Parlamentin ose këshilltare e parë e Babos.
Nikoqiri mbante përbrënda një sakelldi të thellë, ndoshta dhimbja për shokët që vanë.
Shalsi me sytë nga tavani të kujtonte Eseninin e madh për nga fuqia e mendimit.
“Ku është Ogi, ku është Ogi?” – u dëgjua një thirrje.
“Po blen ca çifte të ruajë Ministrinë,” – tha Bujari i Lushnjes.
“Se një farë Ervin Demo ka mbushur Tiranën që do bëhet ministër arsimi dhe Zëvendës Kryeministër!”
“J’allah j’allah,” – rënkoi Antoneta – “Edhe Belës edhe Ogit do t’u heqë nafakën ky, qenka firaun me ambicie! Ç’ka bërë ky, ka hequr gozhdat e urës me të prapme!”
U ankua edhe Dilos: “I punoi qindin në fushatë?!”
Arben Pellumbi iku pa lënë pas armiq.
“Ja bëj hallall Babos mjekrën dhe dy-tre të qara zemre kur gëzohesha shumë,” – tha.
Bela u pa, ishte hequr me masë, na gëzoi shumë. Na shihte me çiltersi të madhe të gjithëve si të na kishte evlajter.
Sa e dashur. Na kishte marrë malli.
Olta më nguli sytë qortueshëm në dalje e më bëri rezil “je një thëngjill i mbuluar që s’e ke shokun t’i more firaun, trazon yndyrën e Kuvendit baballarët e baballeshat e kombit me këto që shkruan, vatani ka derte e ti bën si interesant, hajt mu bej def nga sytë”.
()