Polonia ka vendosur kontrolle në kufijtë me Gjermaninë. Kjo masë vjen si kundërpërgjigje ndaj kontrolleve gjermane në kufi me Poloninë, të aplikuara më herët. A do të bëjnë reagimet zinxhir në kufijtë e Schengenit, që refugjatët të ngecin në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian?
Detajet i ka përcjellë për News24 gazetari i Deutche Welle, Auron Dodi gjatë një komunikimi me moderatoren Daljana Sejdia.
Pyetje: Çfarë është saktësisht reagimi i Varshavës?
Auron Dodi: Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk deklaroi në Varshavë se që nga e hëna (07.07.) do të “rifuten kontrolle të përkohshme kufitare në kufijtë me Gjermaninë dhe Lituaninë”. Policë dhe ushtarë shtesë do të kontrollojnë persona dhe automjete në lumenjtë Oder dhe Neiße që krijojnë kufirin me Gjermaninë.
Tusku tha se pasi kishte folur disa herë me palën gjermane, durimi polak për masat e njëanshme gjermane kishte mbaruar. Ai tha se do t’i jepet fund “ndjenjës së asimetrisë” dhe para së gjithash do të ndalohen kthimet e paargumentuara pas nga Gjermania të migrantëve në Poloni.
Dihet se në maj Gjermania intensifikoi kthimin në kufi të migrantëve pa dokumenta. Edhe të atyre që duan të kërkojnë azil në Gjermani.
Tingëllon sikur kontrollet gjermane në kufijtë polakë e kanë shokuar qeverinë polake. A ishin të papritura për Poloninë veprimet gjermane për migrantët në kufi?
Auron Dodi: Duket me pak gjasa që qeveria polake të jetë habitur vërtet kur Gjermania shtoi në maj kontrollet në kufi me Poloninë. Duket me pak gjasa, nëse është i saktë informacioni i korrespondentit të revistës Politico në Varshavë: ai tha se kampi i Merzit e kishte informuar Varshavën ende pa ardhur në pushtet se do të ashpërsonte politikën ndaj migrimit. Dhe polakët e kishin miratuar këtë në fillim.
Aq më tepër kur polakët prej vitesh e akuzojnë Gjermaninë për një politikë migrimi larg realitetit politikë që është përgjegjëse sipas tyre që Gjermania është magnet për refugjatët nga jashtë Evropës. Por kur Gjermania i kthen pas në kufi konkretisht migrantët e paligjshëm, kjo Polonisë duket se nuk i pëlqen.
Realiteti është se Polonia ndihet nën presion nga e djathta nacionale brenda vendit. Dhe nga disa qytetarë polakë, që kontrollojnë, si thonë, si patriotë kufirin me Gjermaninë.
Në reagimet gjermane, kancelari Friedrich Merz tha në Berlin se e kishte diskutuar qëndrimin gjerman me Tuskun në Hagë dhe në Bruksel, madje edhe në fundjavë në telefon. Merzi tha se “nuk ka kthime pas të azilkërkuesve që tashmë kanë mbërritur në tokën gjermane nga Gjermania në Poloni.” Ai theksoi se “ky është një problem që duam ta zgjidhim bashkë”.
Megjithatë, sipas medieve, qeveria kthen pas azilkërkues në kufi, edhe pa mbërritur ata brenda në Gjermani. Këtë e kritikoi sërish edhe ish-kancelarja Merkel. Ç’mund të na thuash për këtë?
Auron Dodi: Po është e vërtetë. Ish-kancelarja Angela Merkel u shpreh në një takim me migrantë në 10 vjetorin e thënies së saj të famshme drejtuar gjermanëve për refugjatët: “do t’ia dalim mbanë”. Merkeli tha se “e gjitha duhet menduar në mënyrë evropiane”. Ajo e mbështet kursin e tanishëm të frenimit të migrimit të paligjshëm. Por Merkeli tha se “kur dikush në kufirin gjerman thotë “azil” atij fillimisht duhet t’i jepet një procedurë (azili)”. Ajo tha: “Për mua direkt në kufi por një procedurë.”
Kurse ministri i Zyrës së kancelarit Merz, Thorsten Frei saktësoi në televizionin ARD se ” padyshim që nuk kemi të bëjmë me dikë në arrati, por me njerëz që vijnë (në Gjermani) nga vende të sigurta””kur një person ka marrë tashmë azil diku në Evropë, kur ka ardhur tek ne nëpërmjet vendeve të sigurta në Evropë”.
Frei tha më tej se deklarata e 2015-ës e Merkelit drejtuar gjermanëve për përballimin e barrës së refugjatëve, deklarata “do t’ia dalim mbanë”, ishte një “qëndrim i drejtë”.”Sepse kjo është ajo që mund të kërkosh nga një qeveri: që të mos fshihet por të merret me sfidat” shpjegoi Frei.
Lëvizja pa kontrolle në Hapësirën Shengen është konsideruar si nga arritjet më të mëdha të BE. A shihet e përfytyrueshme që të anulohet kjo arritje?
Auron Dodi: Jo, sepse janë interesa të forta ekonomike që e kundërshtojnë një anulim të Shengenit. Por pezullime të përkohshme për arsye kombëtare lejohen.
Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i sheh këto masa si një fazë të ndërmjetme, deri në hyrjen në fuqi të Rregullores së Përbashkët Evropiane për Azilin (GEAS) vitin e ardhshëm. Kjo rregullore tashmë është miratuar.
Por shumë qeveri evropiane janë nën presion të madh brenda vendit për të kontrolluar migrimin.
A po merr Gjermania rol drejtues, në ashpërsimin e politikës evropiane të migrimit?
Auron Dodi: Edhe Gjermania ndodhet nën presion të brendshëm për masa më efektive kundër migrimit të paligjshëm. Këtu vijnë më shumë migrantë nga e gjithë bota.
Po në fakt tashmë janë 11 shtete të BE që kontrollojnë dokumenta në kufijtë e brendshëm të Shengenit. Ndër to bëjnë pjesë Italia, Sllovenia, Franca, Holanda e Austria.
Kancelari Merz tha në Berlin se “aktualisht duhet të zbatojmë kontrolle kufitare sepse mbrojtja e kufijve të jashtëm të Evropës nuk është e garantuar mjaftueshëm.” Merzi njoftoi se grupi i shteteve që kërkojnë ashpërsimin e mëtejshëm të rregullave të migrimit të BE është rritur në 21 shtete. Ai vetë kishte folur me Holandën Italinë dhe Danimarkën për këtë temë.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Alexandar Dobrindt pritet të diskutojë në këtë kuadër në 18 korrik, në një samit në malin më të lartë të Gjermanisë, Zugspitze, ashpërsimin e mëtejshëm të Rregullores Evropiane të Azilit – rregullore tashmë e miratuar, por zbatimi i së cilës nis në 2026-ën. Për këtë Dobrindti ka ftuar kolegë nga Franca, Polonia, Austria, Danimarka, Republika Çeke si dhe Komisionin Evropian.
Në këto kushte refugjatët do të mblidhen në shtetet evropiane jashtë Shengenit, pra problemi vetëm spostohet te shtete të tjera. A është menduar kjo?
Auron Dodi: Ka medie dhe analistë që spekulojnë se efekti domino është i synuar. Grupi Mediatik Bavaria.(“Mediengruppe Bayern”) p.sh., mendon se “qeveria gjermane e ka pritur që shtetet fqinje të reagojnë me masa të krahasueshme ndaj kthimeve gjermane pas…Kjo me sa duket funksionon.”
Edhe një analist i revistës Politico thotë se “llogaria duhet të ketë qenë që polakët t’i mbyllin kufijtë dhe pastaj i mbyllin ato edhe Lituania dhe letonezët”. Kështu sipas tij i gjithë debati për migrimin shtyhet më fort në kufijtë e jashtëm të BE.
Megjithatë këto mbeten thjesht spekulime. Gjithsesi, që Polonia futi kontrolle edhe në veriun e saj, në kufirin me Lituaninë është në interes të Gjermanisë. Sipas informacioneve, shumë refugjatë që vijnë në Gjermani nga Polonia hyjnë përmes Lituanisë dhe Letonisë në territorin e Bashkimit Evropian.