30 vite në krah të Kadaresë! Bujar Hudhri në “Kjo javë”: Ja kë kishte vepër të preferuar! Si e takova për herë të parë më 1995

Botuesi Bujar Hudhri, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24 të moderatores Nisifa Tufa, rrëfeu kujtimet e tij personale dhe profesionale me shkrimtarin Ismail Kadare.

Ai tregoi se kishte 30 vite në krah të tij dhe e konsideron një fat të rrallë të ketë ndjekur nga afër krijimtarinë e mjeshtrit të letrave shqipe.

Hudhri zbuloi se Kadare ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj kritikave dhe gjithmonë kërkonte përsosmëri në veprën e tij. Takimin e parë me të, në vitin 1995, e kujton si të sikletshëm për shkak të një keqkuptimi në orarin e takimit, por që më pas u shndërrua në një bashkëpunim të gjatë e të ngushtë.

Botuesi i shkrimtarit Ismail Kadare, Bujar Hudhri: Njeriu që ka qëndruar më pranë tij ka qenë bashkëshortja e tij, Helena Kadare. Shtëpia e shkrimtarit është shtëpia botuese, është shtëpia e dytë ose shtëpia e vërtetë. Jam munduar të jem pranë shkrimtarit të madh. Për mua ka qenë një fat i madh, teksa kam parë nga pranë sesi krijohet një vepër. Dhimbja e madhe tek të tjerët do të kalojë, tek të afërmit nuk do të kalojë. Kur lexoja një libër të Kadaresë në vendet që ai ka qëndruar në Tiranë, nuk mund ta vazhdoja, sepse ai më dilte në çdo rresht. Kam 30 vite në krah të Kadaresë. Ismail Kadarenë e kam takuar për herë të parë më 1995. Im vëlla ka qenë tek Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe në ato ambiente e kam takuar. Jam rritur gjithë jetën me adhurimin për Kadarenë. Çdo gjë e tij më duket e përkryer.

Takimi i parë s’ka qenë kaq i bukur. Takimi ishte lënë në orën 14:00 dhe në këtë orë zakonisht hahet dreka e mu duk orar i çuditshëm. Nuk shkova dhe im vëlla më tha pse nuk shkova në takim. Kaloi ora e nuk e takova dhe Kadare ishte një person që e kishte problem korrektesën. E kishte, sepse disiplina e tij ishte e hekurt. Kadare kishte marrë informacion se kush isha unë para takimit, patjetër. Kadare kishte heshtje, arrogancë, mister, vetminë. Ky njeri që të duket kaq shpërfillës, ka një zemër të ngrohtë, është shumë i dashur, shumë i ndershëm në marrëdhënien që ti krijon dhe shumë korrekt në gjithçka. Ai ishte shumë i ndjeshëm ndaj dashurisë njerëzore. Kadare, kur iu botua vepra e plotë, ai e ka parë nga ana gjuhësore dhe artistike, me qëllim për ta përsosur atë.

Ismail Kadare e ka riparë veprën, për të sjellë një diamant. Kadare ishte tepër i ndjeshëm nga vërejtjet e të tjerëve. Ismail Kadare e vlerësonte shumë lexuesin. Veprën e tij të preferuar kishte “Pallatin e Ëndrrave”. Një studiues ka thënë se Kadare e meritonte Nobelin vetëm pse ka shkruar këtë vepër. Është një libër që tronditi regjimin, për këtë libër iu bë Plenium më 1982, e mos të kishte qenë ambasada franceze, mund t’i kishte ndodhur diçka e keqe. Vepra u botua e cunguar në monizëm dhe e plotë është botuar pas vitit 1990. Kjo mungesë tregon se çfarë rezervash kishte regjimi për veprën e tij.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×