Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Ervin Bushati, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Sekretarin amerikan Marco Rubio, të cilin e ka ftuar zyrtarisht të vizitojë Shqipërinë në emër të kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në rrjete sociale, Bushati publikoi një foto me Rubio dhe e cilësoi atë si një “mik të shqiptarëve”, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“E ftova Sekretarin Rubio të vizitojë Tiranën – Portën e Ballkanit për SHBA – për dy arsye: Së pari, sepse Shqipëria është një sukses i diplomacisë amerikane, duke kaluar nga një diktaturë komuniste në një ndër vendet më pro-amerikane dhe pro-NATO në Europë. Së dyti, sepse jemi një komb i vogël, por me një zemër të madhe si Nënë Tereza, me një mesazh për më shumë dashuri dhe shërbim me përulësi në rrugën drejt BE-së”, shkroi ambasadori.
Sipas Bushatit, Rubio pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë, duke vlerësuar kontributin e saj në NATO, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në samitin e Hagës.
Ambasadori e përmbylli postimin me një mesazh për 4 Korrikun, duke e quajtur këtë ditë jo vetëm si Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, por edhe si “Deklaratën e Lirisë dhe Demokracisë për gjithë botën”.
Postimi i plotë:
Sekretari Marco Rubio është mik i Shqiptarëve 🇦🇱.
Në emër të KM RAMA e ftova te vizitojë Tiranën; Portën e Ballkanit për US, për dy arsye:
•Shqipëria është edhe një mrekulli e diplomacisë Amerikane🇺🇸: nga një diktaturë komuniste që njihej si “Koreja e Veriut në Europë”, sot në vendin më pro Amerikan & pro NATO kudo.
•E ftova edhe në emër të një kombi të vogël, por me një zemër të madhe si Nënë Tereza: mesazhi ynë nesër për në EU 🇪🇺 “më shumë Dashuri edhe më shumë shërbim me përulësi”.
•Secretari Rubio pranoi ftesën me kënaqësi – në funksion edhe të agendës shumë të ngjeshur të Diplomacisë Amerikane sot- të vizitojë “një vend që e vlerëson si kontributor në NATO, sidomos pas vizitës së fundit në Hague”.
4 Korrik nuk është thjesht Dita e Pavarësisë së SHBA – është Deklarata e Lirisë & Demokracisë për gjithë Botën tonë.
()