Deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste, Romina Kuko, deklaroi në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24 se Akademia Politike e PS për deputetët e rinj është një risi që po funksionon me sukses dhe synon përgatitjen praktike të përfaqësuesve të rinj në Kuvend.
“Akademia politike për deputetët e rinj nuk është një institucion klasik me nota dhe provime, por një proces mentorimi dhe transferimi eksperience nga figurat me përvojë të PS-së tek prurjet e reja,” u shpreh Kuko.
Ajo theksoi se deputeti i sapozgjedhur mund të vijë nga fusha të ndryshme – rinia, shoqëria civile, sektori privat – dhe nuk mund të pritet që të jetë një “produkt i përfunduar”. Sipas Kukos, si në çdo vend pune, edhe në politikë nevojitet një fazë integrimi dhe mësimi.
“Demokracia nuk mbaron te kutia e votimit, por fillon aty. Akademia është një kontribut i PS-së për qytetarët, për t’u garantuar atyre përfaqësim sa më cilësor dhe të përgjegjshëm,” tha ajo.