
Një tjetër humbje e rëndë për komunitetin e hip-hop-it… Reperi amerikan Young Noble, emri i vërtetë i të cilit ishte Rufus Lee Cooper III, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare, në rrethana të dhimbshme.
Lajmi i trishtë u konfirmua nga EDI Mean, kolegu i tij i ngushtë dhe kushëriri i Tupac Shakur, i cili përmes një postimi zemërthyes njoftoi se Young Noble i mori jetën vetes mëngjesin e së premtes në Atlanta.
“Sëmundja mendore është një betejë që shumë njerëz po e luftojnë në heshtje. Ju lutem, kontrolloni njerëzit tuaj”, shkroi ai në Instagram, duke na kujtuar sesa e nevojshme është mbështetja emocionale edhe për ata që na duken të fortë.
Young Noble ishte një nga figurat kyçe të grupit “Outlawz”, të formuar nga vetë Tupac Shakur në vitet ’90. Ai iu bashkua grupit vetëm pak muaj përpara se Tupac të vritej në 1996 dhe që nga ajo kohë, nuk u shkëput kurrë nga muzika e nga misioni për të mbajtur gjallë trashëgiminë e tij.
Krahas punës me Outlawz, ai ka lënë gjurmë edhe me projekte solo si “Noble Justice”, “Son of God” dhe “3rd Eye View”. Vite më parë, reperi kishte kaluar edhe një atak në zemër, një paralajmërim për sfidat që ai po përballonte, jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht.