Dy drejtuesit e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës janë shkarkuar nga detyra, pas një skandali që përfshiu bandën famëkeqe të Laert Haxhiut. Vendimi vjen pas një kontrolli të brendshëm që zbuloi shkelje të rënda të rregullave dhe bashkëpunim të mundshëm me të dënuarit.
Burime për mediat bëjnë me dije se në krye të institucionit është rikthyer Lorent Nako, i cili ishte shkarkuar më parë nga ky post në shkurt të vitit 2024 për t’ia lënë vendin Fatjon Fashos. Ky i fundit tashmë është shkarkuar dhe po hetohet nga autoritetet kompetente.
Ndërkohë, si shef i policisë së burgut është emëruar Artan Koçibelli, i cili do të zëvendësojë Sokol Kaçolin, gjithashtu i shkarkuar dhe nën hetim.
Sipas raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Laert Haxhiu dhe bashkëpunëtorët e tij Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi, qëndronin në një sektor të vetëm dhe në dhoma ngjitur me njëri-tjetrin — gjë që bie ndesh me rregullat e sigurisë së lartë.
Gjatë një kontrolli në qelitë e tyre u sekuestruan:
4 telefona celularë (iPhone dhe Samsung)
Karikues dhe kufje me bluetooth
Dyshohet se në burg futeshin edhe femra për shërbime personale të Haxhiut, çka përbën një tjetër shkelje të rëndë.
Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, po përballet aktualisht me akuza të reja pas dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan (Marjus) Tafani.
Sipas dëshmive, Haxhiu implikohet në një seri vrasjesh të rënda në Shqipëri dhe Greqi:
Lulzim Qorri – 12 dhjetor 2018, Athinë
Fridmand Xhaferraj – 13 maj 2021, Korçë
Çajup Selimi – 1 qershor 2021, Tepelenë
Dikens Halili – 3 tetor 2021, Athinë
Alban Semaku – 17 tetor 2021, Peqin
Albi Bashaliu – 27 dhjetor 2021, Elbasan
Gjithashtu, ai akuzohet për organizim atentatesh me tritol, tentativa vrasjeje dhe gjobvënie.
Autoritetet kanë nisur hetimet për funksionarët e shkarkuar, ndërsa lëvizjet e fundit sinjalizojnë një qasje më të ashpër ndaj korrupsionit dhe bashkëpunimit të paligjshëm brenda sistemit penitenciar.