5 gola të shënuar, karton të kuq, penallti, dramë deri në sekondat e fundit, por një super gol i Mbappe dhe një super Courtois i dhuroi Real Madrid një biletë për në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve, me ekipin e Alonson që triumfoi 3-2 përballë B.Dortmund. Spanjollët e nisën sfidën “zjarr” duke dominuar totalisht rivalin e tyre që në start.
Nëntë minuta lojë i mjaftuan Realit për të kaluar në avantazh, ku zbulimi i këtij turneu, Gonzalo Garcia konvertoi në gol krosin e Arda Guler. Reali nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 20-të, ishte Fran Garcia që me një goditje të saktë dyfishoi shifrat.
Në fraksionin e dytë, dy trajnerët kryer disa zëvendësime, në një ndeshje që dukej e mbyllur ende pa nisur mirë, por atëherë kur gjithçka po shkonte drejt fundit, në minutën e 93-të, Beier përfitoi nga një top i ngecur në zonë duke ngushtuar shifrat në 2-1.
Goli vetëm sa shkundi Realin, pasi një minutë më vonë, Kylian Mbappe me një veprim fantastik brenda në zonë realizoi golin e tretë për ekipin spanjoll. Emocionet nuk kishin fund, me shtesën që u kthye në një thrriller të vërtetë, pasi në minutën e 96-të, Dortmund fitoi një 11-metërsh, me Huijsen që u ndëshkua me karton të kuq, për faull ndaj lojtarit të fundit. Nga pika e bardhë, Guirassy u tregua perfekt duke dërguar shifrat në 3-2.
Ndeshja mund të merrte një tjetër rrjedhë, ku në sekondat e fundit, në tentativën e fundit, portieri Courtois bëri mrekullinë duke ndalur goditjen e Sabitzer.
Përtej këtij momenti drithërues, në fund festa ishte e gjitha për Real Madrid, me ekipin e Alonsos që “fluturon” në gjysmëfinale, aty ku i pret PSG, një ndeshje e madhe në sytë e teknikun spanjoll: “Kishim përballë një rival të fortë që i shkon shpesh deri në fund Champions League, tani do të kemi përballë kampionët në fuqi. Ata janë në një moment pozitiv, po korrin sukseset e një epoke të re. Ne jemi rritur, jemi gati për t’u përballur me ta, do të jetë një sfidë e fortë si për ne, ashtu edhe për ata”, u shpreh Alonso.
()