Në Silverston, për të ndjekur provat e lira për Çmimin e Madh të Britanisë, ishte i pranishëm edhe Hoze Murinjo, i cili u shfaq në boksin e Ferrarit. Trajneri portugez i dha këshilla skuadrës nga Maranelo, e cila është në kërkim të fitores së parë sezonale në Formula 1. Duke e krahasuar Ferrarin me skuadrën e Real Madridit, ndër të tjera Murinjo u shpreh:
“Ferrari është Real Madridi i Formulës 1. Te Real Madridi thonë se kur vesh fanellën e bardhë e nis ndeshjen duke fituar 1-0. Është e njëjta gjë edhe me Ferrarin, kur del në pistë fiton. Të veshësh të kuqen, është një ëndërr, por edhe një përgjegjësi e madhe. Është logjike që përfaqësimi i një marke kaq të rëndësishme përfshin shumë përgjegjësi dhe shumë presion.
Si përballesh me presionin? Duke fituar. Duhet të kesh forcën për të rezistuar, për të besuar në vetvete dhe për të provuar të kesh kohën që pronarët dhe tifozët zakonisht nuk ta japin. Por si trajner, lojtar, menaxher ekipi dhe pilot duhet të besosh në vetvete dhe në atë që bëjnë shokët e skuadrës”, deklaroi ndër të tjera Murinjo.