Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji i rikthehet jetës politike pa humbur kohë. Pak minuta pasi demokrati la ambientet e Burgut të Fierit, zyra e shtypit e PD njoftoi se Salianji do të ketë konferencë për mediat nga selia blu në orën 17:15.
Fjalët e tij të para për mediat i përcolli teksa linte ambientet e Burgut të Fierit teksa e quajti dënimin ndaj tij si të motivuar politikisht dhe për ta penguar të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ervin Salianji paralajmëroi se do të vijojë betejën për drejtësi në Gjykatën e Strasburgut.
Ai vuajti për 9 muaj dënimin me burg për kallëzim të rremë publik, lidhur me akuzat ndaj Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt.
Me vendim të Gjykatës së Apelit në 26 shtator të vitit të kaluar, Salianji u dënua me 1 vit burg. Akuza ndaj tij dhe dënimi me burg u konsiderua nga ekspertët e jurisprudencës si i paprecedentë dhe një masë e ekzagjeruar.
Sot, Gjykata e Fierit vlerësoi të ligjshme kërkesën e demokratit, duke e pranuar lirimin nga burgu pasi kishte kryer 2/3 e dënimit.
()