Aksioni në Theth, reagon Gazment Bardhi: Shteti i fortë me të dobëtit. Bekimi, person me aftësi të kufizuar i besoi premtimit të shtetit për legalizim

Deputeti i PD Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me aksionin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me policinë, në zonën e Thethit.

Në një postim në facebook, Bardhi duke iu referuar Bekimit, personit që sot donte tu dilte fadromave përpara në shenjë proteste kundër shembjes së shtëpive të drurit që ai posedonte, shkruan se ai është djegur pa mbushur moshën 1 vjeç, dhe ka humbur dy këmbët, njërën dorë dhe duke pësuar djegie të thella në fytyrë.

Bardhi thotë se Bekimi ka dëgjuar deklaratën e Ramës më 30 prill 2024, ku premtonte se për banorët e Thethit që kishin ndërtuar pa leje dhe se nuk kishin mundur të merrnin certifikatat e pronësisë, brenda dy muajsh problemi do zgjidhej.

“Me kursimet e kempit dhe një kredie bankare, ndërtoi 5 shtëpiza druri në fshatin Theth, në tokën e të parëve të tij, të njohur për Kullën e famshme të ngujimit, ku stresoheshin burrat e Dukagjinit për të gjetur besë e mbrojtje.

Shtëpizat e Bekimit mirëprisnin miq nga e gjithë bota, siç kishte bërë dikur edhe gjyshi i tij, Zefi. Por, një vit më pas Edi Rama kishte dërguar policë, inspektorë, fadroma dhe kamionë për t’i prishur shtëpizat e Bekimit.

Me të gjitha kursimet e harxhuara, një kredi të pashlyer dhe me një shtet që gjithë forcën e ka vënë përballë tij, Bekimi ishte shtrirë sot përballë fadromave dhe nuk largohej. Ja kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës: i fortë me të dobëtit dhe i dobët me të fortët.

Ndërkohë që në bregdet e Tiranë ngrihen dhjetëra kate kullash, vilash e resortesh pa leje të oligarkëve, Edi Rama ka vendosur të merret me shtëpizat e Bekimit në tokën e të parëve në Theth.

Sepse ai s’ka as guximin, as kurajon, as vullnetin të merret me oligarkët dhe ndërtimet e tyre pa leje, por vetëm prish dhe shkatërron mundin, djersën dhe kursimet e njerëzve të thjeshtë e të pamundur si Bekimi që nuk kanë vjedhur, uzurpuar apo përfituar prona me falsifikime e korrupsion, por kanë ndërtuar në tokat e të parëve të tyre.

Në fakt, plani i Edi Ramës është i qartë. Në vend të investimeve modeste që kanë bërë banorët e zonës me kursimet e tyre, ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura kanë mundësuar grabitjen e pronave për ndërtimin e resorteve me 5 yje të oligarkëve në zemër të zonave të mbrojtura, siç është Parku Kombëtar i Thethit.

Por, përtej politikës i bëj thirrje Edi Ramës dhe Benet Becit që të largojnë policët, inspektorët dhe fadromat e tyre e të lejojnë Bekimin të gëzojë frytet e kursimeve të një jete për të bërë realitet ëndrrën e tij. Sepse njerëz si Bekimi duhen mbështetur, mirëkuptuar dhe ndihmuar, e kurrësesi të bëhen shembulli i arbitraritet, abuzimit dhe paligjshmërisë”, shkruan Bardhi.

()

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×