Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, Ilir Alimehmeti, komentoi në studion e News24 situatën paszgjedhore, duke vënë në qendër të kritikës Kodin Zgjedhor dhe përgjegjësinë politike për deformimin e procesit elektoral.
Alimehmeti e cilësoi miratimin e Kodit Zgjedhor si “një gabim të madh” që, sipas tij, ka prodhuar pasoja negative në funksionimin e demokracisë dhe përfaqësimin politik. “Përgjegjësia kryesore i takon qeverisë, sepse ajo e ka kërkuar ndryshimin e Kodit. Edhe nëse PD do të kishte propozuar një alternativë, Rama do e kishte rrëzuar. Në këtë rast, kodi është kërkuar dhe kaluar nga ai,” u shpreh Alimehmeti.
Ai theksoi se në rast se ka pasur një manipulim sistematik të vullnetit të votuesve, duhet të ketë edhe përgjegjësi të qarta politike. “Në një demokraci të shëndetshme, gjithçka fillon nga zgjedhjet. Aty buron legjitimiteti dhe funksionimi i shtetit,” tha ai.
Alimehmeti konfirmoi se brenda Partisë Demokratike po bëhet një analizë e detajuar e zgjedhjeve të fundit dhe theksoi se opozita ka për detyrë të denoncojë çdo shkelje të ndodhur gjatë procesit zgjedhor.
“Vendimi për Kodin Zgjedhor ka qenë gabim i madh. Përgjegjësia kryesore i takon qeverisë sepse ajo e ka kërkuar. Nëse PD do kërkonte një kod tjetër Rama do e hidhte poshtë. Në këtë rast kodi është kërkuar nga ai. Sidoqoftë situata përgjegjësitë shkojnë lart, atje duhet kërkuar për gabimin. Nëse ka një gabim sistematik të falsifikimit të vullnetit të njerëzve ka edhe përgjegjësi. Kjo është pjesë e analizës së PD që bëjmë ne. E kemi detyrë si opozitë që të bëjmë publike cdo shkelje që ka ndodhur në zgjedhje. Nga zgjedhjet fillon demokracia dhe funksionimi i shtetit”, tha ai mes të tjerash.