Publikohet Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025 – BE vlerëson progresin e Shqipërisë në sundimin e ligjit

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Shtetin e së Drejtës 2025, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë në fushat kyçe të sundimit të ligjit.

Raporti përbën një moment të rëndësishëm për vendin, duke treguar avancimin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, forcimin e institucioneve demokratike dhe përmirësimin e klimës për lirinë e medias.

Përmes këtij vlerësimi, Shqipëria pozicionohet krahas shteteve anëtare të BE-së, duke reflektuar përpjekjet për integrim evropian dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Njoftim për Shtyp nga Ministria e Drejtësisë

Publikimi i Raportit për Shtetin e së Drejtës 2025

Komisioni Evropian vlerëson progresin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve kyçe të sundimit të ligjit, në kuadër të reformave të vazhdueshme në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.

Publikimi i Raportit për Shtetin e së Drejtës 2025 për Shqipërinë shënon një moment të rëndësishëm në vlerësimin e progresit të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, duke na vënë në një bazë krahasimi me shtetet anëtare të BE për katër fusha kryesore të shtetit të së drejtës: sistemin e drejtësisë, antikorrupsionin, lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Drejtësia

Raporti vlerëson progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë përfundimin në shkallë të parë të procesit të vettingut dhe miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030. Është përmirësuar infrastruktura gjyqësore dhe është ndarë buxhet për sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve. Megjithatë, sfida të tilla si mungesa e burimeve njerëzore, koordinimi ndërinstitucional dhe tejzgjatja e proceseve gjyqësore mbeten për t’u adresuar.

Antikorrupsioni

Miratimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe performanca e SPAK në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë janë vlerësuar pozitivisht. Janë përmirësuar hetimet financiare dhe konfiskimi i aseteve. Sfidat përfshijnë perceptimin e korrupsionit në administratën publike, monitorimin e zbatimit të strategjisë dhe përmirësime të mëtejshme në kuadrin ligjor.

Liria e Medias dhe Pluralizmi

Raporti përshëndet transparencën e rritur mbi pronësinë e mediave audiovizive. Megjithatë, shprehet se punë mbetet për të fuqizuar pavarësinë e AMA dhe të transmetuesit publik, si dhe për të adresuar përqendrimin e pronësisë mediatike, shpërndarjen e reklamave shtetërore dhe presionin ndaj gazetarëve.

Institucionet dhe Kontrolli Demokratik

Gjykata Kushtetuese ka funksionuar në mënyrë efektive gjatë kësaj periudhe. Sfidat përfshijnë cilësinë e procesit legjislativ, polarizimin politik dhe vonesat në emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë veprimtarinë të lira dhe udhëzimi i ri për TVSH-në adreson nevojat e shoqërisë civile për një kuadër fiskal ndihmues si dhe raporti ka përshëndetur përgatitjen e projektligjit të ri për vullnetarizmin.

Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025 për Shqipërinë ofron një pasqyrë të qartë të progresit dhe na mirorienton në rrugën drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe integrimit evropian për Shqipërinë 2030.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×