Ilir Meta depoziton në Kushtetuese kërkesën kundër vendimit të Gjykatës së Lartë. Kërkon shfuqizim të vendimeve dhe lirim nga qelia

Ish-presidenti i Republikës Ilir Meta ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën kundër vendimit të Gjykatës së Lartë që e la në arrest me burg.

Në kërkesën e tij, Meta kërkon shfuqizimin e disa vendimeve sic janë Vendimi penal gjyqësor Nr.57, datë 27.02.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; Vendimi penal gjyqësor Nr. 59 (97-2024-333) datë 19.11.2024, të Gjykatës së  Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; Vendimi penal gjyqësor Nr.125, datë 20.10.2024 dhe Nr.130 datë 23.10.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjithashtu ai ka kërkuar dhe lirimin e tij nga izolimi ku ndodhet prej 21 tetorit të vitit 2024.

Në kërkesën e tij, Meta thotë se Vendimi i Gjykatës së Lartë është bazuar në rrezik të supozuar për prishje provash, intimidim të dëshmitarëve dhe rrezik largimi, por që këto nuk janë të argumentuara mjaftueshëm konkretisht (Neni 27 (kufizimi i lirisë) në lidhje me parimin e proporcionalitetit (Neni 17 i Kushtetutës).

“Shkelje të Nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale (KPP)

Ky nen kërkon që masa e sigurimit personal të vendoset kur ekzistojnë të dhëna konkrete për një vepër penale dhe për rrezikun që paraqet i dyshuari.

Nuk paraqiten prova materiale apo të dhëna specifike për të justifikuar masën.

Vendimi bazohet vetëm në raportin e policisë apo një informacion inteligjence, pa verifikim gjyqësor.

Shkelja e së drejtës për një proces të rregullt ligjor (Neni 42 i Kushtetutës dhe Neni 6 i KEDNJ)

Gjykata duhet të garantojë se çdo vendim që kufizon një të drejtë themelore, si liria, të jetë rezultat i një procesi të drejtë dhe të paanshëm.

Mungesë e transparencës dhe arsyetimit në vendim.

Janë refuzuar ose nuk janë marë parasysh pretendimet e palës mbrojtëse të personit nën hetim për të paraqitur prova ose për të kundërshtuar provat e prokurorisë. (E drejta e mbrojtjes)

Vendimi i gjykatës është kopje e kërkesës së organit të procedurës, që nuk ka një analizë të pavarur që nënkupton, nuk janë marrë parasysh, fakti që: Nuk kemi të bëjmë me flagrancë apo rrezik konkret ikjeje, ndikimi mbi prova apo dëshmitarë, pra masa e “Arrest në burg” është e pajustifikuar dhe jopropocionale, pasi “Arrest në burg” duhet të jetë masa e fundit, dhe vetëm nëse asnjë masë tjetër nuk mund të garantojë hetimin.

Gjykatat në vendimet e tyre, ashtu si organi i akuzës, janë bazuar në dyshime, por nuk ka prova konkrete për dyshimin e arsyeshëm sepse duhet të: (nuk kanë arsyetuar “tej çdo dyshimi të arsyeshëm”)

Tregojnë lidhjen e drejtpërdrejtë të personit me aktin e dyshuar të korrupsionit;

Argumentojnë se ekziston rrezik aktual dhe real, jo vetëm dyshime të përgjithshme;

Justifikojnë pse është e nevojshme ndalimi në këtë moment, për një vepër të ndodhur shumë vite më parë.

Gjithashtu nuk kanë vlerësuar drejt pozitën e të dyshuarit në shoqëri:

Personi nën hetim është person publik me rol institucional dhe histori politik;

Ka më pak gjasa për t’u arratisur;

Ka më shumë mundësi për t’u mbrojtur në liri;

Ka më shumë rëndësi për garantimin e një procesi të ndershëm dhe të balancuar (për të mos u perceptuar si proces politik);

Sa më e largët të jetë koha e kryerjes së veprës penale, aq më i lartë është standardi i provave që kërkohen për të justifikuar një masë të tillë.

Arrest arbitrar dhe pa bazë ligjore (Neni 5(1) i KEDNJ)

Çdo kufizim i lirisë duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe jo arbitrar.

Shkelje konkrete:

Arresti bazohet në thënie të kallëzuesëve dhe dëshmitarëve, që në fakt nuk janë të verifikuara apo shoqëruara me prova të dokumentuara.

Nuk tregohet lidhja direkte e personit nën hetim dhe veprat penale për të cilën pretendohet dhe po hetohet.

Proporcionaliteti  dhe “diskriminimi për arsye politike” – Neni 18 i Kushtetutës Shqipërisë.

Parimi i proporcionalitetit është një standard juridik i rëndësishëm që kërkon që:

Masat që kufizojnë të drejtat themelore të jenë të nevojshme dhe të përshtatshme për arritjen e një qëllimi legjitim.

Të mos tejkalojnë atë që është e domosdoshme për arritjen e atij qëllimi (pra, të jenë proporcionale në kuptimin e ngushtë).

Në rastet kur shteti ndërhyn në të drejtat e individit – për shembull, nëse një ligj krijon një dallim ndërmjet individëve apo grupeve – Gjykata Kushtetuese do të analizojë:

Nëse qëllimi i ligjit është legjitim,

Nëse mjeti i përdorur është i përshtatshëm dhe i nevojshëm,

Nëse përfitimi publik është në ekuilibër me kufizimin që i bëhet të drejtës individuale.

Diskriminimi për arsye politike ndalohet qartë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga ligjet e tjera për të drejtat e njeriut. Ky është një nga format më të rëndësishme të diskriminimit të ndaluara, sepse ndikon drejtpërdrejt në lirinë e mendimit politik, lirinë e shprehjes, dhe të drejtën për pjesëmarrje në jetën publike

A ka prova që justifikojnë kufizimin e menjëhershëm të lirisë?

A ka masa më të buta që mund të përdoren (arrest shtëpie, ndalim daljeje jashtë shtetit, detyrim paraqitjeje)?

A është ndaluar liria vetëm për të dhënë mesazh politik apo publik?

Gjykata nuk mund të miratojë automatikisht kërkesën e prokurorisë për masë shtrënguese të heqjes lirisë pa:

Një analizë të rrezikut konkret;

Vlerësimin e kohës së kryerjes së veprës;

Ndikimin e kalimit të kohës në rrezikun e përsëritjes ose pengimit të hetimit.

Gjykatat kanë miratuar “Arrest në burg” për një figurë të lartë publike:

Pa prova konkrete;

Pa arsyetim të plotë mbi proporcionalitetin;

Pa shqyrtim të mundësisë së masave alternative;

Dhe për një vepër të kryer shumë kohë më parë, kjo do të përbënte një shkelje të së drejtës për liri dhe siguri, proces të rregullt ligjor, si dhe do të jepte shenja të instrumentalizimit të drejtësisë.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi një masë arresti, vetëm me dyshime dhe personi është nën hetim pa i komunikuar asnjë akuzë, ndërkohë që në Kushtetutën e Shqipërisë thuhet se: Çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit.

Në kuptim të kësaj dispozite masa e arrestit kërkuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar (SPAK) dhe vendosur nga gjykatat bie ndesh me parimet bazë kushtetuese të heqjes së lirisë.

Vendimet e gjykatave nuk janë të arsyetuara qartë në raport me rrezikshmërinë individuale, por bazohen në formulime të përgjithshme madje në arsyetimin e saj Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji ka shkuar edhe më tej duke paragjykuar (parimi i gjykatës së paanshme) personin nën hetim, ish-Presidentin e Republikës, Z. Ilir Metaj si recidivist për të njëjtat vepra penale.

Padyshim që ky fragment në arsyetim të vendimit gjykatës nuk mund të jetë një lapsus por është një veprim i qartë për të justifikuar paligjshmërinë e vendimeve që kanë lënë në fuqi masën e “Arrest me burg””, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Ilir Metës drejtuar Kushtetueses.

Vazhdimi i paraburgimit të ish-Presidentit të Republikës, Z. Ilir Metaj, thuhet në kërkesën e tij, deri tani, me arsyetim të pamjaftueshëm (prej gjykatave të sistemit të zakonshëm gjyqësor), është joproporcional dhe përbën shkelje të nenit 5/3 të KEDNJ.

Ka shkelje të nenit 5 të KEDNJ, në lidhje me shoqërimin e panevojshëm, nga Policia e Shtetit, të Z. Ilir Metaj, sepse nuk i kanë njoftuar atij vendimin gjyqësor, ku bazohej veprimi i tyre. Kjo vonesë (në ofrimin e këtij informacioni), përbën mjaftueshëm një shkelje të rëndësishme të të drejtave tij, sipas nenit 6 të KEDNJ dhe nenit 42 të Kushtetutës (që garantojnë të drejtën për një proces të drejtë).

Meqënëse gjatë ndalimit të tij, u përdor dhunë/forcë fizike e panevojshme, u përdor filmim dhe publikim (i kësaj sjellje dhune), në median elektronike, përbën shkelje të nenit 3 të KEDNJ (sepse janë kryer me qëllimin degradues të personalitetit dhe figurës tij politike, publike dhe opozitare, por edhe për frikësimin e përkrahësve të Partisë së Z.Metaj dhe të opozitës) .

“Edhe nëse prezumohet, që Z. Ilir Metaj nuk i ishte bindur urdhrit për ndalim, përsëri nuk kishte arsye për ta arrestuar, sepse forca speciale me maska dhe të paidentifikuar nuk i ka paraqitur Z. Ilir Metaj, vendimin gjyqësor, ku bazohej veprimi i tyre.

Masa e arrestimit (kur nuk ka rrezik largimi), kishte një potencial serioz, për të penguar atë, si lider opozite, në pjesmarrjen e tij, në përgjithësi, në debatin e hapur politik e publik. Efekti pengues i kësaj mase sigurimi është fuqizuar më tej, nga fakti që kjo masë sigurimi kishte si objektiv Z. Ilir Metaj, si figurë e njohur publike e politike, heqja e lirisë së të cilit, kishte tërhequr vëmendje të gjerë të mediave.

Kështu, ndërhyrja e sistemit gjyqësor (me masë sigurimi paraburgim) nuk ishte e nevojshme, në një shoqëri demokratike.  Gjatë operacionit policor, kishte forcë fizike dhe Z. Ilir Metaj u neutralizua, nga punonjës të armatosur, që kishin vënë maska, u zbrit me forcë nga mjeti motorrik dhe i janë vënë prangat dhe futur në makinë private.

Nuk kishte prova, që do të nënkuptonin, se ai kishte të shkuar të dhunshme dhe mund të përbënte një rrezik eventual, për punonjësit e Policisë. Operacioni i dhunshëm ishte planifikuar dhe zbatuar, pa marrë parasysh edhe faktin, që ai nuk ishte i dënuar më parë dhe nuk ishte dyshuar, për përfshirje në aktivitete të dhunshme kriminale. Për më tepër që Z. Meta gëzonte edhe statusin ligjor si ish-President i Republikës dhe mbrojtjen nga Garda e Republikës, në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Pavarësisht përputhshmërisë me formulimin e neneve 25, 27, 28 të Kushtetutës, neneve 228, 238 të Kodit të Procedurës Penale provohet qartazi, se në rastin konkret ka ekzistuar elementi i keqbesimit nga SPAK, BKH dhe/ose Policia e Shtetit, për ekzekutimin e ndalimit/paraburgimit të Z. Ilir Metaj.

Kushti për mospasje arbitrariteti kërkon parimisht, që si urdhri “për ndalim/paraburgim” dhe ekzekutimi i ndalimit/paraburgimit, të jenë të dy, tërësisht, në përputhje me qëllimin e kufizimit të lejuar, prej nenit 5/1 të KEDNJ.

Po ashtu, duhet të ketë parimisht një marrëdhënie, ndërmjet shkakut, mbi të cilin është marrë vendimi për heqjen e lirisë dhe kushteve të ndalimit.

Për pasojë (referuar fakteve, rrethanave, shkaqeve dhe arsyeve të paraburgimit të Z. Ilir Metaj) të gjithë këta elementë tregojnë qartazi se mjetet e përdorura për të paraburgosur Z. Ilir Metaj, ishin qëllimisht të tepruara dhe ai i është nënshtruar trajtimit poshtërues e ndalimit tij arbitrar (Shih qasjen e vendimit të GJEDNJ, për çështjen Saadi kundër Mbretërisë së Madhe, aplikimi Nr. 13229/03 , § 68).

Po kështu, fakti që SPAK-u nuk hetoi kallëzimin e bërë në datën 6 dhjetor 2024 nga Partia e Lirisë ndaj Policëve që kryen rrëmbimin në mësin e rrugës më kryesore të Tiranës, tregon mungesën e përgjegjësisë dhe bashkëfajësimin, gjithashtu dhe ndikimin politik të policisë, Drejtorit Përgjithshëm të Policisë Shtetit, i cili në shkresën “Kthim përgjigje për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi”, thotë ndër të tjera se, policët kishin urdhërin e ekzekutimit të lëshuar nga prokuroria e posaçme në zbatim të vendimit penal Nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për arrestimin e ish-Presidentit, Z. Ilir Metaj.

Kjo “Kthim përgjigje” e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ishte një mashtrim i pastër për të justifikuar brutalitetin dhe dhunën e përdorur sepse e vërteta qëndron krejtë ndryshe.

Policia e Shtetit në momentin e ndalimit apo rrëmbimit të ish-Presidentit Metaj së pari nuk kishte asnjë mjet identifikimi nga ato që parashikon ligji, që nënkupton nuk kishin asnjë ndryshim nga banditë me uniformë, së dyti, nuk kishin asnjë dokument urdhër ekzekutimi në momentin që ndaluan makinën ku udhëtonte ai.

Pra kjo vërteton edhe njëherë se ish-Presidenti Z.Ilir Metaj u rrëmbye, dhunua dhe poshtërua në mesin e një prej rrugëve kryesore të Tiranës me urdhër politik të partisë në pushtet (Shih: https://www.youtube.com/watch?v=q-xv6sZS4s4 ) dhe fakti që nuk pati asnjë reagim apo hetim qoftë edhe administrativ për policët (banditë) vërteton se jemi përpara një situate krejt të paprecedent për një shtet të së drejtës, që ndodh vetëm në vende diktatoriale apo regjime autokratike.

Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë urdhëruan arrestimin e tij, në vazhdimësi, pa përmbushur detyrimin e tyre për të justifikuar ndalimin (referuar shkaqeve specifike).

Interpretimi i kryer prej Gjykatës të Shkallës së Parë, prej Gjykatës së Apelit dhe prej Gjykatës së Lartë është mjaftueshëm interpretim arbitrar, i paarsyeshëm dhe nuk përputhet mjaftueshëm me interpretimet e GJEDNJ. Se Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, nuk i kanë dhënë përparësi mjaftueshëm (në çështjen e Z. Ilir Metaj) konkluzioneve, sipas këtyre vendimeve të GJEDNJ.

Komentet e bëra nga SPAK, pas arrestimit të Z. Ilir Metaj dhe që (këto komente) ishin publikuar në media (kur çështja ishte objekt i interesit të fortë publik), kishin shkuar mjaftueshëm, përtej dhënies së informacionit. Komentet e tyre duken, sikur i jepnin publikut përshtypjen, që Z. Ilir Metaj ishte fajtor. Pra, këto komente kanë shkelur mjaftueshëm, edhe të drejtën e Z. Ilir Metaj, për t’u prezumuar i pafajshëm (referuar neneve 30 të Kushtetutës dhe nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale), para se të merret ndonjë vendim gjyqësor, për themelin e çështjes së tij.

Mënyra/forma, se si u veprua publikisht dhe me filmim, për ndalimin shumë të dhunshëm të Z. Ilir Metaj nuk ishte rreptësisht i nevojshëm dhe nuk u shkaktua, nga sjellja e Z. Ilir Metaj.

Mënyra e paligjshme dhe e dhunshme e ndalimit synonte të poshtëronte dhe të ulte dinjitetin e Z. Ilir Metaj, në sytë e familjes së tij dhe të publikut, duke iu nënshtruar mjaftueshëm, një trajtimi poshtërues e denigrues, i cili bëhej në prag të zgjedhjeve politike të 11 Majit, si mesazh frikësues për përkrahësit e opozitës.

Pra, kemi shkelje të nenit 8 të KEDNJ (e drejta për respektimin e jetës tij private dhe jetës së tij familjare), shkelje të nenit 25 të Kushtetutës dhe shkelje të nenit 3 të KEDNJ. Faktet e vërtetuara ishin të arsyeshme dhe të mbështetura mjaftueshëm, në prova. Meqenëse rrethanat e ndalimit të Z. Ilir Metaj lidhen me veprimet e SPAK, me veprimet e BKH dhe/ose Policisë së Shtetit (pra, këto veprime ndodhën plotësisht ose kryesisht, brenda njohurisë ekskluzive të organeve shtetërore) barra e provës, i takon SPAK, që parimisht duhet të ofrojë një shpjegim të pëlqyeshëm dhe bindës, për rrethanat/kushtet/kriteret ligjore, që janë patur parasysh, për ndalimin e dhunshëm  të Z. Ilir Metaj  (Shih qasjen, sipas vendimeve të GJEDNJ, për çështjet: Salman kundër Turqisë, aplikimi Nr. 21986/93, § 100 dhe Anguelova  kundër Bullgarisë, aplikimi Nr. 38361/97, § 111).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×