Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën e 4-t ndërkombëtare për Rimëkëmbjen e Ukrainës, e mbajtur këtë të enjte në Romë, duke u bashkuar me liderë të shumtë botërorë në mbështetje të vendit që përballet ende me pasojat e agresionit rus.
Në fjalën e tij, Rama theksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndonëse pranoi se fjalët për paqen nuk janë të mjaftueshme për t’i dhënë fund luftës. Ai apeloi që Europa të ndërtojë një plan të qartë, të besueshëm dhe të guximshëm për paqen.
“Shqipëria është një vend i vogël, me pak burime dhe pa fuqi për të ndikuar në terren, por kemi qenë dhe do të jemi krah Italisë, miqve dhe partnerëve tanë evropianë, sa herë që Ukraina do të ketë nevojë për ne,” tha Rama.
Ai shtoi se Europa nuk mund të kënaqet vetëm me retorikën për paqen, ndërkohë që lufta vazhdon në kufijtë e saj.
“Askush nuk ka një formulë magjike, por të flasësh për paqen nuk e ndal luftën. Nëse duam ta ndihmojmë realisht Ukrainën dhe t’i japim fund kësaj lufte të tmerrshme, duhet një plan i qartë dhe i koordinuar për paqen,” u shpreh Rama.
Kryeministri shqiptar vuri theksin edhe tek rëndësia e unitetit evropian, duke u shprehur se nuk duhet lejuar që të tjerë, jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, të diktojnë çfarë është paqja.
“Nuk duhet të lejojmë askënd jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione për paqen. Ukraina nuk është agresore. Ajo nuk e ka nisur këtë luftë që derdh gjak çdo ditë në portat e kontinentit tonë,” tha ai.