Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka depozituar kërkesën për konfiskimin e një sërë pasurish në pronësi të shtetasit D.A. dhe personave të lidhur me të, me dyshimin se janë përfituar pa burime të ligjshme.
Kërkesa është bërë në kuadër të procedimit pasuror nr. 2, të vitit 2019, dhe bazohet në ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”.
Sipas Prokurorisë, pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi përfshijnë:
- Truall 350 m² në qytetin e Gjirokastrës
- Truall 1500 m² dhe ndërtim 23 m² në Lazarat
- Truall 450 m² dhe 1646 m² në Grehot
- Arë 7000 m² në fshatin Arshi Lengo
- Objekt tregtar me sipërfaqe 6500 m², ndërtuar në 2005 në fshatin Kordhocë
- Lokal dhe magazinë ndërtuar në vitin 2013 në Kordhocë
- Fushë mini-futbolli me sipërfaqe 500 m² dhe një ndërtesë 37.2 m² në Lazarat
- Autoveturë “Mercedes Benz”
Prokuroria thekson se hetimi i pasurive të dyshimta dhe aplikimi i masave parandaluese në përputhje me ligjin janë një prioritet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.