VKM/ Miratohen ndryshime të reja në regjistrimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit në Shqipëri. Rregullime ligjore edhe për shtetasit e huaj

Qeveria ka miratuar ndryshimet e reja në regjistrimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit në Shqipëri.

Ky vendim, i bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe ligjin “Për gjendjen civile”, synon të thjeshtojë dhe digjitalizojë procesin, duke adresuar gjithashtu rregullimet për shtetasit në institucionet shëndetësore dhe ato të ekzekutimit të vendimeve penale.

“Ndryshimet kryesore përfshijnë procesin elektronik (Online). Shtetasit me vendbanim ose vendqëndrim në Shqipëri duhet të kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit/vendqëndrimit në rrugë elektronike (online), nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.

Ata duhet të ngarkojnë dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, huadhënies, përdorimit ose çdo dokument tjetër ligjor që provon vendbanimin apo vendqëndrimin në adresën e deklaruar.”, nënvizohet në vendim.

Lidhur me bashkimin me familje ekzistuese, shtetasi që kërkon të banojë në një familje ekzistuese duhet të paraqesë kërkesën elektronikisht në “e-Albania”. Kjo kërkesë duhet të konfirmohet nga kryefamiljari i familjes pritëse në të njëjtin portal, duke respektuar standardet e banimit.

Të gjitha dokumentet e ngarkuara në shërbimin elektronik ruhen në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, kurse deklarimi, ndryshimi ose saktësimi i vendbanimit, me kërkesë të kryefamiljarit, do të pasqyrohet njëkohësisht për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes.

Anëtari madhor i familjes, i cili kërkon të ndryshojë vendbanimin, duhet të kryejë më parë procedurën e veçimit nga familja. Të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, që plotëson të gjitha elementet e adresës sipas legjislacionit për sistemin e adresave.

Shtetasi ka detyrimin të deklarojë vendqëndrimin e tij, përveç rasteve të veçanta.

Rregullime për kategori të veçanta shtetasish

Vendimi sjell rregullime specifike për shtetasit që qëndrojnë në institucione të caktuara, siç janë personat në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe paraburgim. Për shtetasit që kryejnë dënimin ose qëndrojnë në paraburgim për më shumë se 3 muaj, institucioni përgjegjës duhet të paraqesë, brenda 48 orëve nga plotësimi i afatit, pranë zyrës së gjendjes civile listën emërore të tyre.

Ndërsa për shtetasit që qëndrojnë pa ndërprerje në institucione shëndetësore për kurim mjekësor afatgjatë dhe kur qëndrimi zgjat më shumë se 3 muaj, institucioni përgjegjës ka të njëjtin detyrim njoftimi.

Kur përfundon qëndrimi në këto institucione, institucioni përkatës njofton zyrën e gjendjes civile brenda 5 ditëve. Shkëmbimi i të dhënave ndërmjet institucioneve dhe zyrave të gjendjes civile do të kryhet me ndërveprim nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×