Kur ka kaluar thuajse një muaj nga zhdukja e Eraldo Muçit, shoku i besuar i Aleksandër Sadikajt, gazetarja Klodiana Lala raporton se gjykata ka urdhëruar kontrollin në 5 banesa.
Mes tyre është lëshuar urdhër kontrolli edhe për banesën e Donald Nelës, i njohur dhe me pseudonimin “Tupja”.
Mësohet se Nela ka qenë edhe kontakti i fundit i Eraldo Muçit para zhdukjes.
Kujtojmë se kanë qenë prindërit e 30-vjecarit Eraldo Muçi që kanë bërë kallëzim në polici dhe apelojnë që strukturat të hetojnë për të zbardhur të vërtetën për zhdukjen e djalit të tyre të vetëm.
Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit. Burime policore thanë se për herë të fundit, i riu është parë në autostradën Durrës-Tiranë dhe nga ai moment nuk ka asnjë të dhënë rreth tij.
Familja ngre dyshime të forta se atij mund ti ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, për motive hakmarrje, por policia nuk përjashton as pista të tjera.
30-vjeçari i zhdukur pa gjurmë, njihej si një nga miqtë e besuar të Aleksandër Sadikaj i njohur si Sanço.
Ky i fundit u ekzekutua në qershor të 2022 në një atentat mafioz në afërsi të rrethrrotullimit të TEG, ku automjeti i tij shpërtheu nga një sasi e madhe tritoli që ishte vendosur në të.
Pas kësaj ngjarje, mes grupit të tij dhe grupit kundërshtar të vëllezërve Edmond Papa e Kristo Qirici janë shënuar disa ngjarje të rënda kriminale. pas tij u vra Edmond Papa nga grupi kundërshtar. Kushërinjtë e Sadikajt, Adriatik Kalemi e Zamir Kalemi iu mbijetuan të paktën dy atentateve mafioze në Greqi e Tiranë. Më pas u shënua ajo që njihet si masakra e Memaliajt, ku u vra Shyqyri Kalemi, babai i Adriatik e Zamir Kalemit dhe dy persona të tjerë, kamarieri dhe një klient i lokalit.