
Kanye West, i njohur edhe si Ye, u rikthye në skenë përballë një stadiumi plot në Shanghai, por jo gjithçka shkoi siç pritej. Koncerti i mbajtur më 12 korrik në një arenë me kapacitet 70 mijë vendesh përfundoi mes polemikash, kritikash dhe thirrjesh për rimbursim të biletave.
Përtej shiut të rrëmbyeshëm dhe vonesës 45-minutëshe për shkak të problemeve teknike, fansat nisën të shprehin hapur zhgënjimin e tyre. Në rrjetet sociale, u shpërndanë video ku Ye akuzohet për përdorim të lip-sync-ut dhe për mungesë totale të energjisë në skenë. Madje, sipas shumë pjesëmarrësve, mikrofoni ishte thuajse i padëgjueshëm gjatë gjithë performancës.
Çmimet e biletave varionin nga 980 deri në 2680 juan (rreth 102–278 paund), dhe kjo ishte edhe një arsye më shumë pse shumë fansa shpërthyen në pakënaqësi, duke brohoritur në kor për rimbursim.
Por pika më e debatueshme? Në pjesën e fundit të shfaqjes, Kanye u zhduk nga skena për më shumë se 20 minuta, ndërkohë që këngët e tij vazhdonin të dëgjoheshin në sfond, pa asnjë shpjegim.