
Rita Ora ka folur me sinqeritet për një periudhë të errët të jetës së saj, kur pasiguritë për pamjen fizike i rënduan mendjen dhe vetëvlerësimin. E ftuar në podcast-in “Happy Place”, këngëtarja shqiptaro-britanike tregoi se në fund të të njëzetave ndjeu se nuk përmbushte pritshmëritë e shoqërisë për “trupin perfekt”.
“Fillova të sëmuresha shpesh, nuk kisha energji dhe nuk ndihesha mirë me veten. Nuk kujdesesha për trupin tim. Dhe pastaj erdhi mendimi: ‘Nuk jam aq e dobët sa të tjerët – prandaj jam e shëmtuar’. Sot më duket tronditëse që e besoja këtë”, u shpreh ajo.
Në bashkëpunim me markën Dove dhe projektin “Self Esteem”, Rita theksoi rëndësinë e përballjes me versionin e mëparshëm të vetes. “Është si të takosh atë vajzën e vogël që ishe dikur dhe t’i thuash: ‘Ti je shumë më e bukur se ç’mendon’. Të gjithë meritojmë ta ndiejmë këtë.”