
Pak javë para se të ndahej nga jeta, legjenda e muzikës rok Ozzy Osbourne po përgatitej me përkushtim për të performuar në koncertin e tij të fundit, “Back To The Beginning”. Ishte një rikthim simbolik, por edhe një përpjekje e fundit për të qëndruar në skenë, aty ku ndjehej më gjallë se kudo tjetër.
Në muajt e fundit, shëndeti i Ozzy-t kishte rënë dukshëm. Edhe pse shkaku i vdekjes nuk është konfirmuar zyrtarisht, besohet se ai përballej me probleme të zemrës. Për të mbikëqyrur gjendjen e tij, këngëtari mbante çdo ditë një pajisje që monitoronte ritmin kardiak dhe tensionin e gjakut, deri në 15 herë në ditë.
“Stërvitem çdo ditë. Nuk marr më asnjë pilulë gjumi. Kam një pajisje në gisht që mat çdo goditje të zemrës sime”, kishte rrëfyer ai në një nga intervistat e fundit në Sirius XM, në fund të majit. Me stilin e tij të veçantë, nuk mungoi as humori i errët: “Po e marr ditë pas dite. Pyete atë lart. Në rastin tim, më mirë pyet atë poshtë.”
Koncerti “Back To The Beginning”, ideuar nga bashkëshortja e tij Sharon Osbourne, u mendua si një përshëndetje simbolike me publikun dhe rezultoi të ishte vërtet e fundit. Më pak se tre javë pas performancës, Ozzy ndërroi jetë, duke lënë pas një trashëgimi të paharrueshme në historinë e muzikës rock.